Fytyrat e katër burrave të akuzuar për abuzimin seksual të një gruaje
Katër burra janë akuzuar për abuzimin seksual të një gruaje, e cila dyshohet se drogohej nga bashkëshorti i saj. Fytyrat e tyre janë bërë publike dhe ata po gjykohen në Gjykatën e Kurorës në Winchester.

Gjykata e Kurorës në Winchester po gjykohen katër burra të akuzuar për abuzimin seksual të një gruaje, e cila dyshohet se drogohej vazhdimisht nga bashkëshorti i saj. Të akuzuarit janë Richard Wilkins, 62 vjeç, taksist; Norman Macksoni, 48 vjeç, këngëtar dhe biznesmen; Mohammed Hassan, 38 vjeç, punonjës i Amazon dhe Connor Sanderson-Doyle, 32 vjeç, punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes në Britani.
Viktima, një grua 49-vjeçare, ka hequr dorë nga e drejta për të ruajtur anonimitetin dhe publikimi i identitetit të saj dhe të detajeve të çështjes është mundur. Sipas prokurorisë, katër të pandehurit dyshohet se janë rekrutuar në internet nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, Philip Young, 50 vjeç, i cili e kishte droguar gruan për ta bërë të pavetëdijshme ose për të mos kujtuar atë që i ndodhte.
Prokurorja Sarah Jones KC deklaroi në gjykatë se gruaja ishte lidhur dhe i ishin mbuluar sytë, ndërsa burra të panjohur kryenin abuzime seksuale ndaj saj, në disa raste në praninë e bashkëshortit, i cili dyshohet se i filmonte ngjarjet. Sipas saj, Philip Young kërkonte në internet burra të moshave dhe kombësive të ndryshme për të kryer marrëdhënie seksuale me bashkëshorten e tij.
Hetimi nisi në vitin 2023, pasi policia u informua se Philip Young kishte publikuar në internet materiale pornografike ekstreme. Gjatë kontrollit të pajisjeve të tij elektronike, hetuesit zbuluan afro 500 fotografi të bashkëshortes së tij në gjendje të zhveshur. Philip Young ka pranuar fajësinë për gjithsej 56 vepra penale ndaj ish-bashkëshortes, përfshirë përdhunim, sulm seksual, penetrim seksual pa pëlqim, administrim të substancave me qëllim kryerjen e veprave penale dhe filmim të fshehtë.
Ndërkohë, një tjetër person, Dean Hamilton, 47 vjeç, nga Street, Somerset, ka pranuar fajësinë për një akuzë të penetrimit seksual pa pëlqim, dy akuza për sulm seksual dhe një akuzë për përdhunim. Hamilton dhe Philip Young do të dënohen në përfundim të procesit gjyqësor. Katër të pandehurit e tjerë i mohojnë akuzat, të cilat përfshijnë vepra nga prekja seksuale e deri te përdhunimi.