Meta paraqet tre kërkesa në GJKKO, gjykatësia rrëzon dy prej tyre
Meta dhe Kryemadhi janë në seancë në GJKKO, ku Meta ka paraqitur tre kërkesa, duke përfshirë lejimin e kamerave dhe verifikimin e pajisjeve të përgjimit në ambientet e paraburgimit.

Në GJKKO vijon seanca për ish-çiftin Meta-Kryemadhi, ku të dy janë të pranishëm në sallë. Meta paraqiti tre kërkesa, që të dilte nga kafazi i xhamtë dhe të ulej krah avokatit, të lejoheshin kamerat të transmetonin procesin gjyqësor dhe kërkesa e tretë, të verifikoheshin pajisjet e përgjimit në ambientet e paraburgimit gjatë kohës që takohet me avokatin mbrojtës Bujar Musta.
Prokurori Arben Kraja tha se nuk është dakord me lejimin e kamerave, pasojat e përgjimit në paraburgim që pretendon janë jashtë kompetencave të SPAK dhe sa i takon kërkesës për daljen nga kafazi, ia la në dorë gjykatës. Pasi u tërhoq për vendim gjykata vendosi rrëzimin e dy kërkesave, ndërsa sa i takon pretendimeve për komunikimet e Metës me avokatin, gjyqtari Erion Bani tha se do ia përcjell Drejtorisë së Burgjeve.
Sipas gazetares Anila Hoxha, në GJKKO po zhvillohet seanca e themelit, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Kryemadhit dhe Metës.