Buxheti i Turizmit, Kulturës dhe Sportit: Zhupa dhe Gonxhe shkëmbejnë replika në Komisionin e Kulturës
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bendi Gonxhe, u paraqit në Komisionin e Kulturës për të prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, por mbledhja u dominua nga debate të ashpra mes tij dhe kryetares së Komisionit, Ina Zhupa.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bendi Gonxhe, u paraqit në Komisionin e Kulturës së bashku me ekipin e tij për të prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027. Mbledhja treorëshe u dominua nga debate të ashpra mes tij dhe kryetares së Komisionit, Ina Zhupa. Zhupa nisi me një kritikë për dorëzimin me vonesë të draftit, duke iu drejtuar Gonxhës: “Ju keni sjellë materialin që ne do diskutojmë sot në orën 19:14 të ditës së djeshme”. Gonxhe u përgjigj se ishte njoftuar për ta përshpejtuar datën e ardhjes në Komision. Më pas, Zhupa kritikoi qeverinë për dhunë ndaj protestuesve, ndërsa ministri fajësoi protestuesit për anulimin e disa eventeve në kryeqytet. “Policia ka për detyrë të garantojë mbarëvajtjen e jetës së përditshme”, tha Gonxhe. Zhupa tha se shqetësohej kur dhunohen qytetarët e vendit tim. Ajo sfidoi Gonxhen të bashkohet kur të vizitojë në komisariate protestuesit e arrestuar. Ministri propozoi vijimin e protestës në sheshin Skënderbej për të mos penguar aktivitetet e tjera në Tiranë, por kjo revoltoi opozitën. Pas përplasjejes, Zhupa ia la karrigen nënkryetarit Erion Malaj për të vijuar me prezantimin e projektbuxhetit, që parashikohet të jetë në vlerën e 7.65 miliardë lekëve për Turizmin, Kulturën dhe Sportin gjatë vitit 2027. 2.74 miliardë lekë janë parashikuar për investime publike, ndërsa trashëgimia kulturore përfiton një fond rekord prej 2.08 miliardë lekësh.