Pasaporta shqiptare po, por jo fanella kuqezi, dy mungesa të bujshme në listën e nëntorit
Pasaporta shqiptare nuk është një biletë automatike për të veshur fanellën kuqezi. Këtë po e konfirmojnë dy raste të ndryshme, por me të njëjtin përfundim për momentin: as Elia Caprile dhe as Amar Gerxhaliu nuk do të jenë pjesë e grupit që Rolando Maran do të grumbullojë për ndeshjet e nëntorit.

Pasaporta shqiptare nuk është një biletë automatike për të veshur fanellën kuqezi. Këtë po e konfirmojnë dy raste të ndryshme, por me të njëjtin përfundim për momentin: as Elia Caprile dhe as Amar Gerxhaliu nuk do të jenë pjesë e grupit që Rolando Maran do të grumbullojë për ndeshjet e nëntorit.
Rasti më i komplikuar është ai i portierit italian të Cagliarit. Caprile u pajis me pasaportë shqiptare përmes lidhjes me partneren e tij shqiptare, por nuk ka prejardhje apo lidhje gjaku me Shqipërinë. Pikërisht këtu nis problemi, pasi marrja e shtetësisë nuk përkthehet automatikisht në të drejtën për të përfaqësuar një kombëtare. Pengesa lidhet me rregulloret e FIFA-s dhe kriteret që përcaktojnë se kur një futbollist mund të përfaqësojë një shtet me të cilin nuk ka lidhje familjare apo territoriale.
Një shembull domethënës i këtij problemi vjen nga futsalli. Azerbajxhani, ashtu si disa përfaqësuese të tjera, kishte ndërtuar një pjesë të skuadrës mbi futbollistë brazilianë të natyralizuar. Por çështjet e pranueshmërisë së këtyre lojtarëve sollën kontrolle më të rrepta mbi kriteret e FIFA-s. Në një procedurë disiplinore të UEFA-s, pas një proteste të Rumanisë ndaj Azerbajxhanit, u ngrit pikërisht çështja e mungesës së provave për plotësimin e kriterit të qëndrimit pesëvjeçar në vend. Rasti tregoi se pasaporta dhe shtetësia e re nuk mjaftojnë për të fituar automatikisht të drejtën e përfaqësimit.
Ndryshe është situata e Amar Gerxhaliut. Mbrojtësi me origjinë nga Kosova nuk ka një pengesë të ngjashme rregullatore me atë të portierit italian. Ai është i pajisur me dokumentacionin shqiptar, por për momentin nuk bën pjesë në preferencat e trajnerit Rolando Maran. Mosgrumbullimi i tij lidhet me zgjedhjet tekniko-taktike të stafit dhe jo me ndonjë problem të njohur përfaqësimi.
Ndërkohë, lista e nëntorit pritet të sjellë edhe dy zhvillime të tjera. Ivan Balliu nuk pritet të jetë pjesë e grupit kuqezi. Mbrojtësi duket se e ka mbyllur kapitullin me Kombëtaren dhe pritet vetëm që ta zyrtarizojë personalisht tërheqjen përfundimtare nga Shqipëria. Lajmi pozitiv vjen nga Thomas Strakosha. Portieri i AEK-ut pritet të rikthehet në listën e Maranit, pasi ka nisur prej disa ditësh stërvitjen me skuadrën greke. Madje, ai ishte në stol në përballjen e Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit, duke dhënë sinjale pozitive për rikuperimin e tij.