Kaos në qiejt e Europës, alarm për bombë në 27 avionë, ngrihen në ajër bombarduesit
Alarmet për bombë në avionët e fluturimit kanë ngjallur kaos në qiejt e Europës, duke detyruar autoritetet të aktivizojnë avionët luftarakë në disa vende, përfshirë Francën, Italinë, Austrinë dhe Bullgarinë.

Alarmet për bombë në avionët e fluturimit kanë ngjallur kaos në qiejt e Europës, duke detyruar autoritetet të aktivizojnë avionët luftarakë në disa vende, përfshirë Francën, Italinë, Austrinë dhe Bullgarinë. Shtatë prej fluturimeve kishin lidhje me Italinë, duke përfshirë një avion i linjës Dublin-Romë që u detyrua të ulej në një bazë ushtarake në Normandi, nën shoqërimin e avionëve luftarakë francezë Rafale.
Prokuroria franceze ka nisur hetimet ndaj pilotit, i cili dyshohet se fillimisht refuzoi urdhrin për t’u ulur në aeroportin ushtarak, duke kërkuar një aeroport civil. Një tjetër avion, i nisur nga Milano drejt Varshavës, kreu ulje emergjente në Vjenë. Alarme të ngjashme u regjistruan edhe në fluturime drejt Pragës, Sofjes, Brukselit dhe Madridit.
Sipas autoriteteve italiane, kërcënimet ndaj dy fluturimeve për në Romë mbërritën përmes një emaili në gjuhën italiane, të nënshkruar nga një grup që e quan veten “Luftëtarët e Shtetit Mashkullor”, një grup që mund të ketë lidhje me ‘Male State’, një lëvizje ekstremiste ruse e së djathtës radikale, me ideologji mizogjene, homofobe dhe antifeministe.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, paralajmëroi se këto incidente mund të jenë pjesë e një strategjie më të gjerë destabilizimi. “Gjithçka është e lidhur: frigoriferët, gjaku në Francë, dronët, avionët. Jetojmë në një periudhë të tillë”, deklaroi ai, duke shtuar se ngjarje të tilla synojnë shtimin e kaosit.
Edhe drejtuesi i Air France-KLM, Ben Smith, e cilësoi të pazakontë shkallën e koordinimit të alarmeve. Megjithatë, Komisioni Europian theksoi se është ende herët për të përcaktuar nëse incidentet kanë lidhje me njëri-tjetrin. Deri tani, kontrollet nuk kanë zbuluar lëndë shpërthyese në avionët e inspektuar, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar autorët dhe motivet e kërcënimeve.