Mësuesi 37-vjeçar britanik dënohet me 25 vite burg për abuzim seksual me 18 vajza adoleshente
Mësuesi matematike britanik Syed Shahrear Ahmed, 37 vjeç, është dënuar me 25 vite burg dhe 8 vite të tjera me kusht për abuzim seksual me 18 vajza adoleshente.

Mësuesi matematike britanik Syed Shahrear Ahmed, 37 vjeç, është dënuar me 25 vite burg dhe 8 vite të tjera me kusht për abuzim seksual me 18 vajza adoleshente. Ahmed u shpall fajtor për 56 vepra penale të abuzimit seksual të të miturve. Ai krijoi profile të rreme në rrjete sociale si Wizz, Yubo dhe Snapchat, ku paraqitej si një 17-vjeçar me emrin “Miles”.
Sipas Daily Mail, Ahmed përdorte foto të manipuluara për të bindur vajza deri në moshën 13 vjeçe se ishte moshatar i tyre. Ai jepte mësim në lëndën e matematikës në një shkollë të mesme në Essex dhe u dënua për abuzim seksual të të miturve.
Gjykatësi Perins tha se Ahmed vazhdon të paraqesë rrezik për shoqërinë. “Ti nuk ke marrë asnjë përgjegjësi për veprimet e tua dhe nuk ke treguar absolutisht asnjë pendim. Ti i kuptoje mirë adoleshentet. Ishe i aftë në identifikimin e atyre, pasiguria e të cilave mund të manipulohej”, u shpreh gjykatësi.
Ahmed u arrestua në maj 2023 pasi një 15-vjeçare arriti të largohej nga makina e tij gjatë lëvizjes dhe i tregoi policisë numrin e targës. Ai refuzoi të jepte fjalëkalimet e pajisjeve dhe u përgjigj “Nuk kam koment” gjatë marrjes në pyetje.
Policia Metropolitane shqyrtoi shumë prova dixhitale dhe mijëra foto. Njëra nga viktimat ishte dërguar në një zonë të izoluar pyjore. Vajza kujtonte vetëm disa detaje si tabela nën autostradën A12, të cilat policia i identifikoi me Google Street View për të gjetur vendin.
Oficerët kanë gjetur në telefonin e tij imazhe të 20 deri në 30 vajzave të tjera të paidentifikuara. “Ka imazhe në telefonin e tij të vajzave të tjera në makinën e tij, ose në një zonë të pyllëzuar, ose në një adresë që nuk e dimë, të cilat duket se janë 16 vjeç ose më të reja, dhe ne nuk kemi asnjë mënyrë për të identifikuar se kush janë ato”, tha detektivi i çështjes.
Në gjykatë u lexuan dëshmi tronditëse për ndikimin psikologjik. Njëra nga vajzat tha se vuante nga makthe dhe nuk i besonte më askujt. Tjetra tregoi se kishte lënë shkollën dhe kishte vështirësi me gjumin dhe punën.
“Të kenë kujdes me kë po flasin fëmijët tuaj dhe çfarë aplikacionesh kanë në telefonat e tyre”, bëri thirrje një nënë për prindërit e fëmijëve, e cila ndihmoi në zbulimin e rastit.