Oficere ukrainase, mashtronte dhe pretendonte se ishte e shtruar në spital, ndërkohë që xhironte një emision televiziv
Oficere e Forcave Ajrore të Ukrainës, Viktoria Kuznetsova, dyshohet se ka mashtruar autoritetet ushtarake duke pretenduar se ishte e shtruar në spital, ndërkohë që merrte pjesë në xhirimet e një emisioni televiziv të gatimit, MasterChef.

Një histori e pazakontë ka përfunduar në duart e drejtësisë ushtarake në Ukrainë. Oficere e Forcave Ajrore të Ukrainës, Viktoria Kuznetsova, dyshohet se ka mashtruar autoritetet ushtarake duke pretenduar se ishte e shtruar në spital, ndërkohë që merrte pjesë në xhirimet e një emisioni televiziv të gatimit, MasterChef. Bëhet fjalë për një çështje të rëndësishme që ka tërhequr vëmendje të veçantë për shkak se Ukraina ndodhet në luftë me Rusinë dhe përballet me nevoja të vazhdueshme për personel ushtarak.
Sipas autoriteteve, Kuznetsova dyshohet se ka përfituar rreth 250 mijë hryvnia në paga dhe pagesa shtesë, edhe pse për një periudhë disa mujore nuk ka qenë e pranishme në detyrë apo në spitalin ushtarak ku figuron se po trajtohej. Hetuesit pretendojnë se gjatë kësaj periudhe oficerja nuk qëndronte në spital, por lëvizte në qytete të ndryshme të Ukrainës, përfshirë Kievin, Kharkivin dhe rajonin e Odesës.
Gjatë gjithë kësaj kohe, njësia e saj ushtarake ka vijuar t’i paguajë rrogën dhe përfitimet financiare, duke shkaktuar, sipas përllogaritjeve të hetuesve, një dëm prej afro 250 mijë hryvniash për shtetin ukrainas. Oficereja u identifikua përmes emisionit televiziv dhe sot është nën hetim penal. Nëse akuzat provohen në gjykatë, ajo mund të përballet me një dënim deri në 10 vite burg.