Trump: Rusia dhe Ukraina janë gati për një marrëveshje, do të përfshijë edhe Evropën
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina janë gati për një marrëveshje për të dhënë fund luftës. Trump ka biseduar telefonikisht me liderët e dy vendeve dhe ka planifikuar takime për të hënën dhe të martën për të mbështetur negociatat.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina janë gati për një marrëveshje për të dhënë fund luftës. Sipas tij, negociatat po shënojnë përparim dhe një marrëveshje e mundshme do të jetë e rëndësishme, duke përfshirë edhe Evropën.
Trump ka biseduar telefonikisht me liderët e dy vendeve dhe ka planifikuar takime për të hënën dhe të martën për të mbështetur negociatat. "Rusia dhe Ukraina, për herë të parë, duan të arrijnë një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje shumë e madhe dhe do të përfshijë Europën", deklaroi presidenti amerikan.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur i gatshëm për një takim me homologun rus Vladimir Putin, por ka përjashtuar mundësinë që ky takim të zhvillohet në Moskë. Zelensky ka theksuar se Ukraina ka nevojë për mbrojtje ajrore dhe raketa për të përballuar sulmet ruse dhe se ai është i gatshëm të takohet me Putinin në çdo shtet, por jo në Moskë.
Zelensky ka shprehur shqetësimin se marrëveshja e sigurisë që administrata Trump pritet t’i propozojë Ukrainës mund të përmbajë rreziqe për të ardhmen e vendit. "Ne jemi të gjithë në Europë. Nuk duam një Jaltë 2. Nuk duam të ndahemi nga Rusia", u shpreh ai, duke iu referuar konferencës së Jaltës të vitit 1945, ku fuqitë e mëdha diskutuan ndarjen e sferave të ndikimit në Europë.
Rusia ka kryer një sulm me raketa balistike ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit, duke goditur infrastrukturën e qytetit dhe shpërthime janë dëgjuar edhe në periferi. Më vonë është regjistruar një tjetër sulm, si pasojë e të cilit kanë mbetur të plagosur disa persona. Ukraina ka ndërmarrë gjatë natës sulme ndaj disa objektivave në rajonet ruse të Oryol, Saratov dhe Rostov, mes tyre edhe një rafineri nafte. Pas një sulmi me dronë në rafinerinë e naftës në Saratov ka shpërthyer një zjarr i madh dhe disa persona kanë mbetur të plagosur.