Zbardhet dinamika e shpërthimit me lëndë plasëse në Elbasan, tre të tjerë në kërkim
Policia e Elbasanit ka zbrastur dinamikën e shpërthimit me lëndë plasëse që shkrumboi makinën e një punonjëse të bashkisë Elbasan dhe ka arrestuar njëri prej personave të dyshuar. Të tjerë tre shtetas janë shpallur në kërkim.

Policia e Elbasanit ka njoftuar se, ngjarja është regjistruar rreth orës 02:00, kur në njërën prej gomave të para të automjetit tip “Volksëagen” ka ndodhur një shpërthim i shkaktuar nga një sasi lëndë plasëse. Makina është në pronësi të shtetases me inicialet A. D.
Menjëherë pas ngjarjes, grupi hetimor ka nisur veprimet për dokumentimin e plotë të saj, sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e personit përgjegjës. Ndërkohë pas hetimeve dhe veprimeve të kryera, Policia njofton se ka arritur të zbardhë plotësisht dinamikën e ngjarjes, të identifikojë dhe të arrestojë autorin e dyshuar.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim dhe tre persona të tjerë. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe realizuar vendosjen e lëndës plasëse në automjetin në pronësi të shtetases A. D.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.