David Silva rikthehet në futbollin profesionist në moshën 40-vjeçare
Ish-mesfushori spanjoll David Silva ka rikthim surprizë në futbollin profesionist në moshën 40-vjeçare, duke u aktivizuar për skuadrën e Supreme Sha Tin në Hong Kong.

Ish-ylli i Manchester City-t u aktivizua titullar në ndeshjen e tij të parë pas më shumë se tre vitesh, duke qëndruar në fushë për 84 minuta. Rikthimi nuk mund të ishte më i veçantë, pasi Silva arriti të shënonte nga pika e bardhë e penalltisë, duke ndihmuar skuadrën e tij të merrte një barazim 1-1. Por kontributi i spanjollit nuk u kufizua vetëm te goli. Performanca e tij u vlerësua maksimalisht, duke u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes (MOTM). Në moshën 40-vjeçare, David Silva rikthehet kështu në qendër të vëmendjes, edhe pse larg futbollit të niveleve më të larta ku shkroi historinë me Manchester City-n dhe përfaqësuesen e Spanjës. Mesfushori u detyrua të tërhiqej në vitin 2023, pas një dëmtimi të rëndë në gju, ndërsa tani ka zgjedhur të shijojë sërish emocionet e lojës, këtë herë në Hong Kong. Një rikthim që ka padyshim aromën e nostalgjisë për një nga mesfushorët më elegantë të brezit të tij.