Neda Karafili dhe avokatja e saj reagojnë për ‘Goca & Gra’: Nuk mund të më ndajë njeri nga fëmijët e mi
Avokatja e Neda Karafilit ka reaguar pas vendimit të marrë pas divorcit të saj me Ogren Ballukun, duke deklaruar se Neda nuk mund t’i takojë dot djemtë e saj, pavarësisht se masa e vendosur nga gjykata është e detyrueshme për t’u zbatuar.

Avokatja e Neda Karafilit ka reaguar pas vendimit të marrë pas divorcit të saj me Ogren Ballukun. Në një letër dërguar në emisionin “Goca & Gra”, avokatja Greta Çela shprehet se Neda nuk mund t’i takojë dot djemtë e saj, pavarësisht se masa e vendosur nga gjykata është e detyrueshme për t’u zbatuar.
“Si avokate mbrojtëse e nënës, ndjej detyrimin profesional dhe moral të denoncoj shkeljet e rënda ligjore dhe procedurale në këtë proces, ku fëmijët vijojnë të mbeten peng i një situate të papranueshme. Së pari, çështja mbart shkeljen flagrante të titullit ekzekutiv për takimin e fëmijëve. Pavarësisht se masa e vendosur nga gjykata është e detyrueshme për t’u zbatuar menjëherë, po përballemi me një akt të pastër “vetëgjyqësie” ku vullneti individual mbizotëron mbi urdhrat e gjykatës. Së dyti, kjo situatë është arritur si pasojë e mos kryerjes së detyrës dhe anshmërisë së Shërbimit Përmbarimor. Paligjshmëria ka kaluar çdo kufi kur edhe pasi kryetari i zyrës së përmbarimit vendosi zyrtarisht përjashtimin e përmbarueses nga dosja, ajo refuzoi ta lëshonte çështjen, duke vepruar në kapërcim të hapësirës ligjore dhe hierarkisë. Për këtë arsye kemi depozituar kallëzim penal për “Shpërdorim detyre”, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka nisur procedim disiplinor. Së treti, në sfondin e gjithë kësaj panorame të rënduar, mbetet sfida e madhe e mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës, ku sistemi gjyqësor duhet të veprojë me standarde të larta profesionale dhe shkencore përmes provave të besueshme, për të garantuar që fëmijët të mos përdoren kurrë si armë apo si pengje në luftën e të rriturve, por të kthehen në ambientet e shëndetshme familjare ku u takon të rriten”, shkruan avokatja.
Nga ana tjetër, Neda Karafili ka reaguar me anë të një mesazhi drejt Ori Nebiajt, e cila e lexoi drejtpërsëdrejti në studio. “Ju falënderoj për fjalët, as armikut tim më të madh nuk ja harroj hallin që më ka rënë. Kam nevojë për çdo ndihmë që mund të më jepet. Zoti më ka falur tre drita sysh nga të cilët nuk mund të më ndajë njeri në këtë tokë. Ju përqafoj të katërtave”, shkruhej në mesazhin e Nedës.