Katy Perry gati të tregojë për herë të parë për martesën e saj me Russell Brand
Këngëtarja Katy Perry po shqyrton mundësinë e publikimit të një autobiografie dhe realizimit të një serie dokumentarësh, ku në fokus do të jetë marrëdhënia e saj 14-mujore me Russell Brand.

Këngëtarja 42-vjeçare po shqyrton mundësinë e publikimit të një autobiografie dhe realizimit të një serie dokumentarësh, ku në fokus do të jetë marrëdhënia e saj 14-mujore me Russell Brand. Sipas gazetës britanike Mail on Sunday, Perry ka marrë disa oferta gjatë viteve për të rrëfyer historinë e saj, por ka preferuar të presë deri në përfundimin e procesit gjyqësor ndaj ish-bashkëshortit. Tashmë, ajo dhe ekipi i saj thuhet se janë në diskutime për një projekt dokumentar, të ngjashëm me prodhimet e Netflix, si dhe për një libër autobiografik. Ajo ka shumë për të thënë. Ka shumë gjëra rreth asaj martese që njerëzit nuk i dinë. Ishte një periudhë shumë e errët në jetën e saj. Sipas raportimit, përfaqësuesit e këngëtares kanë qenë në kontakt me platforma të mëdha transmetimi, përfshirë Netflix dhe Hulu. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar asnjë marrëveshje zyrtare. Interesi për historinë e martesës së tyre është rikthyer në vëmendje pas vendimit të Gjykatës së Kurorës në Southwark të Londrës, e cila më 5 nëntor shpalli Russell Brand fajtor për përdhunimin e një gruaje dhe tri akuza për sulm seksual ndaj katër grave. Ngjarjet për të cilat ai u dënua kanë ndodhur mes viteve 2004 dhe 2009. Aktori u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera për përdhunim dhe një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm. Seanca për caktimin e dënimit është planifikuar për më 9 nëntor. Emri i Katy Perry-t u përmend edhe në dokumentet e gjykatës, pasi njëra prej grave që e akuzoi Brandin pretendoi se këngëtarja mund të ketë qenë e pranishme gjatë një prej incidenteve të vitit 2009. Sipas dokumenteve, ngjarja kishte ndodhur në ambientet e Channel 4, ku Brand i kishte kërkuar një punonjëseje t’i bënte masazh dhe më pas e kishte shtyrë kokën e saj drejt zonës së ijëve. Megjithatë, prania e Perry-t në atë moment nuk është konfirmuar dhe nuk ka të dhëna se ajo kishte dijeni për atë që po ndodhte. Këngëtarja nuk u thirr për të dëshmuar dhe, sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës në Britani, policia nuk i ka kërkuar asaj të japë një deklaratë. Martesa 14-mujore dhe mesazhi që i dha fund gjithçkaje Katy Perry dhe Russell Brand u njohën në vitin 2009, gjatë xhirimeve të filmit “Get Him to the Greek”. Marrëdhënia e tyre u zhvillua me shpejtësi dhe në tetor të vitit 2010 ata u martuan në një ceremoni tradicionale hindu në Indi. Por martesa nuk zgjati shumë. Në dhjetor të vitit 2011, pas vetëm 14 muajsh, Brand i komunikoi këngëtares vendimin për t’u ndarë. Perry ka treguar më vonë se lajmin e kishte marrë përmes një mesazhi në telefon, pak para se të dilte në skenë për të performuar. Momenti emocional u përfshi edhe në dokumentarin “Katy Perry: Part of Me”, ku u pasqyruan disa nga periudhat më të vështira të jetës së këngëtares. Në një intervistë të dhënë për revistën Vogue në vitin 2013, Perry foli hapur për marrëdhënien me ish-bashkëshortin, duke e përshkruar atë si një person kontrollues. “Ai nuk e pëlqente faktin që unë isha shefja gjatë turneut. Kjo më lëndoi shumë dhe ai ishte shumë kontrollues, gjë që ishte shqetësuese”, ishte shprehur këngëtarja. Ajo tregoi gjithashtu se fillimisht kishte ndjerë përgjegjësi për përfundimin e martesës, por më pas kishte mësuar diçka që nuk ishte e gatshme ta ndante publikisht. “Ndjeva shumë përgjegjësi për fundin e marrëdhënies sonë. Por më pas mësova të vërtetën, të cilën nuk mund ta zbuloj domosdoshmërisht, sepse e mbaj të mbyllur në kasafortën time për një ditë të keqe”, kishte deklaruar Perry. Këngëtarja nuk e ka shpjeguar asnjëherë se për çfarë të vërtete bëhej fjalë dhe nuk ka prova që e lidhin atë me veprat penale për të cilat Brand u shpall fajtor. Incidentet që kishin tensionuar martesën Gjatë martesës së tyre, disa episode të bëra publike kishin nxitur reagime dhe kishin shtuar pikëpyetjet mbi marrëdhënien e çiftit. Disa javë para ndarjes, Brand u shfaq në një video duke hequr unazën e martesës, ndërsa bënte shaka për gratë që mund të takonte gjatë një turneu në universitetet amerikane. Ai iu referua vizitave në kampuset universitare si “një javë revolucioni” dhe bëri komente për organizatat studentore të vajzave. Në të njëjtën video, aktori hoqi unazën dhe tha se do ta vendoste “diku shumë, shumë të sigurt” gjatë kohës që do të ishte larg shtëpisë. Një tjetër episod që kishte shkaktuar pakënaqësi te Perry ishte publikimi nga Brand i një fotografie të saj në shtrat, menjëherë pasi ishte zgjuar dhe pa grim. Sipas raportimeve të kohës, këngëtarja ishte zemëruar nga ky veprim, duke e konsideruar një shkelje të privatësisë së saj. Fotografia u fshi më vonë. Pas ndarjes nga Russell Brand, këngëtarja nisi një lidhje të gjatë me aktorin Orlando Bloom, me të cilin ka edhe një vajzë. Marrëdhënia e tyre zgjati rreth një dekadë, përpara se çifti të ndahej. Aktualisht, Perry është në një lidhje me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Deri më tani, ajo nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për dënimin e ish-bashkëshortit, megjithëse verën e kaluar, gjatë një komunikimi me fansat, kishte lëshuar kritika të ashpra ndaj tij, duke thënë se ai duhej të ishte “në burg”.