Skifterët shqiptarë dënohen në Angli për grabitjet e shtëpive
5 shqiptarë janë dënuar në Britaninë e Madhe për grabitjet e shtëpive, ndërsa Dionis Doku është dënuar me 3 vite dhe 10 muaj burgim.

Pasi u bënë të famshëm për grabitjet e shtëpive në Greqi, Itali, Spanjë dhe Francë, shqiptarët e pagëzuar si skifterët tashmë kanë zhvendosur aktivitetin kriminal në Britaninë e Madhe. Në javën e kaluar, 5 shqiptarë janë dënuar në shtetin ishullor si të përfshirë në grabitje shtëpish.
Dionis Doku, një 45-vjeçar nga Sanxhaku i Krujës, është dënuar me 3 vite dhe 10 muaj burgim për një seri grabitjesh. Detektivët që hetuan arritën të identifikonin ADN-në e tij në një shishe me spraj antibakterial, të cilën ai e kishte përdorur për të pastruar vendin e ngjarjes.
Doku ka vodhi çanta të markave luksoze dhe bizhuteri me vlerë mbi gjysmë milioni paund nga 9 prona në Kent, Londër, Buckinghamshire dhe Surrey. Ndërsa ndodheshin në zonë për të mbledhur pamjet e disponueshme nga kamerat e sigurisë, patrullat e policisë e vunë re Dokun në një stacion autobusi në Uxbridge Road dhe e arrestuan.
Ndërkohë, Policia Metropolitane e Londrës thotë se katër shqiptarë, të cilët shënjestronin banesat e aziatikëve me qëllim grabitjen, u kapën pas një hetimi disa mujor. Çlirim Ferizi dhe Oresti Saliaj janë dënuar me një total prej pesë vitesh e gjashtë muajsh burgim. Ata u zbuluan nga pamjet e kamerave të sigurisë, ADN-ja e gjetur në shtëpitë e grabitura dhe qelizat telefonike.
Kartat Oyster që përdornin në metro ndihmuan policinë për të faktuar lëvizjet në zonat e shtëpive të grabitura. Bashkëpunëtorët e tyre, Dionis Hetaj dhe Arben Cuka, janë dënuar me një total prej pesë vitesh burgim.