Emergjencë në Ishujt Kanarie, mbi tetë mijë emigrantë kanë hyrë në pesë javë
Mbi tetë mijë emigrantë kanë mbërritur në Ishujt Kanarie gjatë pesë javëve të fundit, duke detyruar autoritetet vendore të shpallin emergjencën sociale dhe të kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria spanjolle dhe institucionet evropiane.

Mbi tetë mijë emigrantë kanë mbërritur në Ishujt Kanarie gjatë pesë javëve të fundit, duke detyruar autoritetet vendore të shpallin emergjencën sociale dhe të kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria spanjolle dhe institucionet evropiane. Presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, ka bërë të ditur se kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka rënë dakord të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të Komisionit Ndërministror për Emigracionin. Sipas mediave të huaja, takimi synon të përcaktojë masat për përballimin e fluksit të emigrantëve dhe presionit mbi shërbimet dhe burimet lokale. Sipas të dhënave të qeverisë rajonale, vetëm nga data 1 deri më 6 nëntor, në Ishujt Kanarie mbërritën 49 varka me gjithsej 4,587 emigrantë. Prej tyre, 35 varka u drejtuan drejt El Hierro, ku autoritetet e kanë cilësuar presionin mbi burimet lokale si “të jashtëzakonshëm”. Clavijo tha se e kishte informuar kryeministrin Sánchez për përmasat e situatës në ishull, si dhe për pakënaqësinë në rritje të banorëve për shkak të fluksit të vazhdueshëm të emigrantëve. Sipas tij, Ishujt Kanarie prej muajsh kanë kërkuar më shumë burime, planifikim më të mirë dhe një përgjigje të koordinuar nga qeveria për të menaxhuar situatën. “Ky takim duhet të shërbejë për të rënë dakord, mes të dyja qeverive dhe ministrive përkatëse, për një plan të përbashkët veprimi, me masa konkrete, përgjegjësi të përcaktuara dhe afate për zbatimin e tyre. Nuk mund të vazhdojmë të veprojmë vetëm kur situata përkeqësohet”, shkroi Clavijo në rrjetet sociale. Presidenti i Ishujve Kanarie ka kërkuar gjithashtu takime urgjente me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe komisionerin evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, për të diskutuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për përballimin e fluksit. Ndërkohë, autoritetet lokale në El Hierro paralajmërojnë se numri i lartë i mbërritjeve po ushtron presion të madh mbi kapacitetet pritëse dhe burimet në dispozicion, ndërsa kërkojnë masa konkrete dhe një reagim të përbashkët për të përballuar situatën.