Inter mbetet ‘macja e zezë’ e Comos, zikaltrit ndëshkojnë sërish skuadrën e Fabregas
Interi ka mposhtur Comos 2-0 në një ndeshje të Super Kupës së Italisë, duke rikthyer në vendin e dytë me 28 pikë.

Interi është ‘macja e zezë’ e skuadrës së Comos. Kampionët e Italisë iu imponuan skuadrës së Cesc Fabregas duke e mposhtur 2-0 duke treguar edhe njëherë se humbja në Derbin e Madonninës u la menjëherë pas.
Ndryshe nga sa ka ndodhur herët e tjera ku Interi është parë në disavantazh kundrejt Comos, këtë radhë skuadra e Chivut e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme këtë përballje teksa mori avantazhin e dyfishtë brenda 20 minutave të para. Sfida nisi me ritëm të lartë nga të dyja ekipet, por pas vetëm 10 minutash lojë Interi e pa veten në avantazh teksa shënoi me Pio Esposito që shfrytëzoi një krosim të Spence për të mposhtur portierin Roberto Sanchez.
Como u duk i ndrojtur në reagimin e tij, me futbollistët e Fabregas që e kishin të vështirë që të dilnin nga presingu i organizuar dhe shumë ofensiv i Interit. Dhe në minutën e 19, kampionët e Italisë gjetën edhe golin e dytë këtë radhë me Thuram që u gjet saktë nga Zielinski në krosimin e tij dhe kështu rezultati shkoi 2-0 për zikaltrit
Në pjesën e dytë, Como u përpoq të merrte zotërimin e topit por futbollistët e tij patën një qarkullim steril dhe shansi i parë për të ishte një gjuajtje-kros i Nico Paz që gjeti ndërhyrjen e Martinez. Inter ishte kompakt në prapavijë duke kërkuar të kundërsulmonte dhe në minutën e 80 iu afrua golit të tretë me Thuram, ndërkohë që pak çaste më vonë Como krijoi mundësinë e vërtetë për shënim me Nico Paz gjuajtja e të cilit u përplas në cepin e portës dhe përfundoi jashtë. Në fund ndeshja u mbyll 2-0 për Interin që rikthehet në vendin e dytë me 28 pikë, ndërsa Como ia lë vendin e katërt Milanit.