Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së: Do mbroj çdo anëtar të administratës Trump nga demokratët
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanch, tha se roli i tij do të jetë të mbrojë anëtarët e administratës Trump që po hetohen nga demokratët.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanch, tha se roli i tij do të jetë të mbrojë anëtarët e administratës Trump që po hetohen nga demokratët, të cilët fituan shumicën në Kongres në zgjedhjet e mesit të mandatit. Dje, vetë Trump urdhëroi Departamentin e Drejtësisë të hetojë demokratët që po “kërcënojnë njerëzit” me ndjekje penale dhe forma të tjera ndëshkimi, duke përdorur shumicën e tyre në Kongresin e ri, duke filluar nga janari.
“Puna ime, si prokuror i përgjithshëm, është, ndër të tjera, të mbroj qeverinë”, tha Blanch, ish-avokati personal i Trump, për CNN. “Nëse ata ndjekin Stephen Miller”, tha ai, duke iu referuar këshilltarit të fuqishëm të presidentit, një nga arkitektët e politikës së deportimit masiv të administratës Trump, i cili u emërua të premten në pozicionin strategjik të shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, “sigurisht që Departamenti i Drejtësisë do të jetë aty për ta mbrojtur atë”.