Zbulohen kasaforta sekrete në vilën e ish-presidentit të Paraguait
Policia në Paraguai ka zbuluar një kasafortë sekrete në vilën e ish-presidentit Santiago Peña, gjatë një kontrolli në kuadër të hetimeve për skandalin financiar të lidhur me bankën Ueno.

Operacioni u zhvillua të dielën në rezidencën verore të Peña-s, në qytetin San Bernardino. Gjatë kontrollit, autoritetet zbuluan një kalim të fshehtë që të çonte drejt një dere të blinduar, pas së cilës ndodhej një kasafortë. Sistemi i sigurisë ishte i pajisur me teknologji të avancuar, përfshirë fjalëkalim dixhital dhe njohje biometrike. Pavarësisht zbulimit, autoritetet nuk arritën ta hapnin kasafortën për shkak të sistemit të sofistikuar të sigurisë. Vila e ish-presidentit është në qendër të hetimeve për marrëdhëniet e tij financiare me bankën Ueno. Sipas dosjes hetimore, më 13 maj 2024, banka i dha dy kredi njëkohësisht, në një vlerë totale prej rreth 600 mijë dollarësh, për ndërtimin e rezidencës. Kostoja e ndërtimit të vilës vlerësohet në rreth 1.3 milionë dollarë, ndërsa këstet mujore të kredive arrinin në 37 200 dollarë, rreth gjashtë herë më shumë se paga e tij presidenciale. Hetimet lidhen me krizën e bankës Ueno, e cila u vu nën administrimin e Bankës Qendrore të Paraguait pasi u konstatuan probleme të rënda financiare dhe rënie e treguesve të saj të aftësisë paguese. Peña është akuzuar për shkelje të besimit dhe administrim në përfitim personal. Pas zhvillimeve politike dhe shkarkimit të tij nga Kongresi, ish-presidenti është arrestuar dhe është vendosur në paraburgim në një strukturë ushtarake në Asunción. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur marrëdhëniet financiare të ish-presidentit me bankën, ndërsa mbetet mister se çfarë fshihet pas derës së blinduar të zbuluar në vilën e tij.