Juventus dhe Spalletti nuk gjejnë paqe, dëmtohet edhe Kalulu
Juventus është në një pozicion aspak komod në renditje, 6 pikë larg vendit të katërt dhe 11 larg Lazios kryesuese. Trajneri Luciano Spalletti ka një listë të gjatë të futbollistëve të padisponueshëm, duke përfshirë Pierre Kalulu, i cili është dëmtuar në këmbën e majtë dhe nuk do të bashkohet me kombëtaren franceze.

Juventus shkon në pauzën e ndeshjeve për kombëtaret në një pozicion aspak komod në renditje. Zonja e Vjetër është 6 pikë larg vendit të katërt dhe 11 larg Lazios kryesuese, por trajneri Luciano Spalletti e ka një justifikim; atë të dëmtimeve.
Lista e futbollistëve të padisponueshëm te Zonja e Vjetër është e gjatë, por pas kësaj periudhe pauze ajo mund të përgjysmohet, ose të paktën kjo është ajo që shpreson stafi teknik i bardhezinjve. I fundit që i është bashkuar infermierisë së Juventusit është pikërisht Pierre Kalulu, i cili këtë të hënë iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore të cilat evidentuan një dëmtim muskular në këmbën e majtë dhe kështu futbollisti nuk do t’i bashkohet kombëtares franceze dhe do të qëndrojë në Torino për të kryer teste të tjera me shpresën se koha e qëndrimit të tij jashtë fushave të lojës nuk do të jetë shumë e gjatë.
Ndërkaq për ndeshjen e 22 nëntorit ndaj Venezias, Spalletti pritet të ketë sërish në dispozicion Nico Gonzalez, Andrea Cambiaso dhe Francisco Conceição, ndërsa për pjesën tjetër të lojtarëve do të duhet të presë edhe ca kohë të paktën deri në dhjetor, kur pritet të kthehet në fushat e lojës Kenan Yildiz. Në Continassa askush nuk pret që talenti turk të jetë menjëherë gati dhe në formën më të mirë, por shpresa e torinezëve është që brenda fundit të vitit, Yildiz të jetë në gjendje të ndihmojë skuadrën. Mungesa e tij është ndjerë shumë te Juventusi në fazën sulmuese, një prej pikave më të dobëta të Zonjës së Vjetër duke qenë se Kolo Muani dhe Ëoltemade nuk po shfaqin rendimentin që pritej. Ndërsa për Kephren Thuram dhe Manuel Locatelli rruga është ende e gjatë me të dy futbollistët që pritet t’i bashkohen skuadrës vitin e ardhshëm.