Robert Duka, akuzuar për 28 grabitje në Greqi, u arrestua në Shqipëri
Robert Duka, një 50-vjeçar shqiptar, u arrestua në Tiranë për dy grabitje të armatosura në bankat e kryeqytetit. Mediat greke raportojnë se ai ishte akuzuar më parë për përfshirje në një grup kriminel që dyshohet se ka kryer 28 grabitje bankash në Greqi.

Sipas raportit, Duka u arrestua pranë Rrugës së Kosovarëve në Tiranë, pasi dyshohet se ishte autor i dy grabitjeve të armatosura në filiale të bankave në zonën e Komunës së Parisit. Grabitja e fundit ndodhi më 2 nëntor, kur ai mori rreth 60 mijë euro në valuta të ndryshme, duke kërcënuar me armë punonjësin e sigurisë dhe arkëtaren.
Mediat greke ndalen veçanërisht te lidhjet e dyshuara të Dukës me aktivitetin kriminal në Greqi. Sipas raportit, autoritetet shqiptare e kishin mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, pasi dyshohej se po përgatitej të largohej sërish drejt vendit fqinj.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 8,200 euro, dy telefona celularë dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve. Sipas autoriteteve shqiptare, identifikimi i tij u bë përmes metodave speciale hetimore, sistemeve teknologjike dhe analizimit të veshjeve, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur fytyrën.