Franca në shënjestër të UEFA, gjobitet me 10 mijë euro për shkak të çorapeve
Kombëtarja franceze përfundon në shënjestër të UEFA për një thyerje të rregullores gjatë sfidës së Nations League kundër Belgjikës.

Kombëtarja franceze përfundon në shënjestër të UEFA për një thyerje të rregullores gjatë sfidës së Nations League kundër Belgjikës. Federata Franceze e Futbollit do të duhet të paguajë një gjobë prej 10 mijë eurosh për shkak të një detaji që lidhet me veshjen e futbollistëve dhe që shkaktoi edhe vonesën e fillimit të lojës. Episodi u verifikua në 28 shtator të 2026 kur dy kombëtaret duhej të përballeshin në orën 20:45. Pak para hyrjes në fushën e lojës të skuadrave, doli një problem me shiritat elastikë të përdorur nga futbollistët francezë për të mbajtur të fiksuara çorapet. Ngjyra e tyre nuk ishte konform dispozitave të UEFA dhe stafi u detyrua që të ndërhyjë për të sistemuar gjithçka duke bërë që të shtyhet starti i ndeshjes. Sipas të përditshmes ‘L’Equipe’, UEFA më pas e sanksionoi Federatën Franceze të Futbollit me një gjobë prej 10 mijë eurosh. Ky nuk është i vetmi problem organizativ që ka shoqëruar ndeshjet e para të Zinedine Zidane në krye të kombëtares franceze. Gjatë transfertës së mëparshme në Turqi, trajneri i Francës kishte zbritur në fushë pasi himni kombëtar, “Marsejeza”, kishte nisur tashmë. Vonesën e tij e kishte justifikuar me faktin se protokolli ishte zhvilluar më shpejt nga sa ishte parashikuar. Në të njëjtën ndeshje, në dhomat e zhveshjes ishte harruar edhe flamuri me stemën e kombëtares franceze, i cili u mor vetëm pak çaste para vërshëllimës së fillimit të takimit.