Babai i Meghan Markle rikthehet në paraburgim pasi preu byzylykun elektronik
Babai i Meghan Markle, Thomas Markle, është arrestuar sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm pak ditë pasi ishte liruar me kusht, pasi dyshohet se ka hequr pajisjen elektronike të monitorimit.

Babai i Meghan Markle, Thomas Markle, është arrestuar sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm pak ditë pasi ishte liruar me kusht, pasi dyshohet se ka hequr pajisjen elektronike të monitorimit. Lajmi është bërë i ditur të martën nga autoritetet amerikane. Thomas Markle ndodhet tashmë në paraburgim, në pritje të një seance në gjykatën federale në Tampa të Floridës, bëri të ditur Bill Essayli, ndihmës i parë i prokurorit amerikan.
Sipas Essayli, Markle e preu byzylykun elektronik rreth orës 01:45 të mëngjesit dhe u arrestua pak më vonë. Arrestimi i tij i dytë vjen vetëm pak ditë pas ndalimit të parë, të premten e kaluar. Autoritetet kishin sekuestruar rreth 78 materiale, përfshirë diapozitiva, negativë filmash dhe libra, në të cilat dyshohet se përmbaheshin imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve. Materialet u gjetën në njësi magazinimi në zonën e Los Angeles-it, të cilat Markle i kishte marrë me qira që prej vitit 2008.
Gjatë arrestimit të parë, ai u mor me ambulancë nga një qendër kujdesi për të moshuarit në Lakeland. Disa orë më vonë, një gjykatës vendosi lirimin e tij me kusht, duke i kërkuar që të mbante pajisjen elektronike të monitorimit. Gjykata urdhëroi gjithashtu kryerjen e një ekzaminimi për të vlerësuar aftësinë e tij mendore për të përballuar procesin gjyqësor, si dhe dorëzimin e një raporti deri më 20 nëntor.
Vajza e tij, Meghan Markle, Dukesha e Sussex-it, është shprehur më herët se ishte “thellësisht e tronditur” nga akuzat për gjetjen e një koleksioni me imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve në ish-shtëpinë e të atit. Ajo bëri gjithashtu të ditur se në vitin 2019 në polici në Londër ishte dërguar një letër që përmbante pretendime shqetësuese për babanë e saj. “Letra përmbante pretendime shqetësuese dhe tronditëse për babanë tim dhe më ishin dhënë garanci se ato po hetoheshin”, deklaroi Meghan.
Ajo theksoi se distancimi nga i ati dhe vendimi për të mos lejuar kontaktin e tij me fëmijët e saj kishte vetëm një arsye: mbrojtjen e tyre. “Shpresoj që tani të kuptohet se, pavarësisht shtrembërimeve të disa publikimeve mediatike ndër vite, çdo distancim nga babai im dhe vendimi im për të mos e lejuar të ketë kontakt me fëmijët tanë kishte vetëm një arsye: t’i mbroja ata”, u shpreh Dukesha e Sussex-it.
Thomas Markle jetonte në Filipine gjatë këtij viti, ku pësoi një goditje në tru dhe iu amputua këmba e majtë. Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai u detyrua të kthehej në SHBA. Sipas raportimeve të gazetës britanike “The Sun”, gjysmëvëllai i Meghan kishte zbuluar një koleksion me imazhe të dyshuara të abuzimit seksual të fëmijëve, ndërsa po pastronte banesën e babait të tyre në Filipine.
Ky zbulim çoi më pas në identifikimin e dy njësive të magazinimit në Kaliforni, ku Markle kishte ruajtur materiale që prej vitit 2008. Hetimet ndaj tij vijojnë, ndërsa akuzat mbeten në shqyrtim nga autoritetet amerikane.