Taksistët ngrihen në protestë në Tiranë, kërkojnë uljen e çmimit të karburantit dhe kufizimin e licencave
Taksistët kanë dalë në protestë në Tiranë për të kërkuar uljen e çmimit të karburantit dhe kufizimin e licencave të taksive.

Taksistët kanë dalë në protestë në Tiranë për të kërkuar uljen e çmimit të karburantit dhe kufizimin e licencave të taksive. Sindikata e Transportit Taksi të Shqipërisë dhe Sindikata e Transportit Taksi për Rrethin e Tiranës kanë paralajmëruar përshkallëzim të lëvizjes sindikale, nëse institucionet nuk marrin masa për plotësimin e kërkesave të tyre.
Përfaqësuesit e sindikatës bëjnë me dije se kanë kërkuar zgjidhjen e problematikave përmes dialogut, duke organizuar një tryezë me përfaqësues të Bashkëqeverisjes, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Bashkisë së Tiranës, Policisë Rrugore, Policisë së Rendit dhe Policisë Bashkiake. Megjithatë, ata shprehin pakënaqësi për atë që e konsiderojnë mungesë përgjegjësie dhe angazhimi nga ana e Bashkisë së Tiranës në trajtimin e kërkesave të tyre.
Sindikata ka bërë publike kërkesat e saj drejtuar institucioneve, duke përfshirë respektimin e tarifave të taksimetrit dhe përcaktimin e kritereve për personat që ushtrojnë shërbimin taksi, largimin nga shërbimi i të gjitha automjeteve që nuk janë të licencuara, uljen dhe stabilizimin e çmimit të karburantit në përputhje me nivelet e tregut ndërkombëtar, si dhe garantimin e cilësisë së tij.