Konkursi “Tish Daija”, 28 vepra në skenë/ Shpallen 23 kompozitorë fitues nga Shqipëria dhe Kosova
Violinistja Ina Kosturi është një nga fituesit e Konkursit Kombëtar “Tish Daija” dhe do të prezantojë veprën e saj në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Violinistja me famë ndërkombëtare që ka shkëlqyer në operat më të mëdha, Ina Kosturi, vjen në Teatrin e Operas dhe Baletit si kompozitore si një nga fituesit e Konkursit Kombëtar “Tish Daija”. Kosturi thotë se vepra e saj erdhi natyrshëm dhe se ajo është më e familjarizuar me harqet. Ajo shtoi se nuk e mendonte që do të fitonte në Shqipëri dhe se kjo është çmimi i parë që merr në vendin e lindjes.
Orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit do të luajë 28 veprat fituese të Konkursit, ku juria përzgjodhi 23 kompozitorë fitues nga Shqipëria dhe Kosova. Në një takim me pjesëmarrjen e disa brezave kompozitorësh, artistët diskutuan edhe për problemet e muzikës sot. Profesor Vasil Tole kërkoi caktimin e një fondi të përvitshëm për krijuesit e rinj, duke thënë se çdo vit duhet të ketë në Teatrin e Operas fond të dedikuar për krijimtarinë muzikore.
Drejtori i institucionit, Aulon Naçi, vetë kompozitor në profesion foli për rritjen e buxhetit që i është caktuar TKOB në buxhetin e 2027 dhe se janë rishikuar të gjitha tarifat e honorareve për të gjitha kategoritë. Festivali “Netët e muzikës shqiptare” nis sot në mbrëmje dhe do të finalizohet në 4 dhjetor duke vendosur në qendër talentin, identitetin dhe të ardhmen e muzikës shqiptare.