Spanja nën presion për çmimet e banesave, greva e përgjithshme
Spanja është përfshirë nga një grevë e përgjithshme për shkak të çmimeve të larta të banesave dhe vështirësive për të përballuar kostot e jetesës. Protestat janë zhvilluar në disa qytete të mëdha të vendit, duke përfshirë Madrid dhe Barcelonë.

Spanja është përfshirë nga një grevë e përgjithshme, e para në 14 vitet e fundit, e thirrur nga sindikatat kryesore të vendit në shenjë proteste ndaj krizës së strehimit, rritjes së qirave dhe kostos së lartë të jetesës. Greva ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në transportin publik dhe shërbimet e tjera, ndërsa protesta janë zhvilluar në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit.
Demonstratat më të mëdha priteshin të zhvilloheshin në Madrid dhe Barcelonë, ndërsa situata ka qenë veçanërisht problematike në zonat kryesore industriale të kryeqytetit dhe rajonin e Katalonjës, ku janë bllokuar disa akse të rëndësishme rrugore. Kreu i sindikatës UGT, Pepe Álvarez, e cilësoi grevën si një sukses, duke folur për pjesëmarrje masive. Edhe drejtuesi i sindikatës CC OO, Unai Sordo, deklaroi se pjesëmarrja ishte shumë e konsiderueshme.
Nga ana tjetër, Konfederata Spanjolle e Organizatave të Biznesit (CEOE) dha një vlerësim të kundërt, duke pretenduar se pjesëmarrja ishte e ulët dhe e pabarabartë në varësi të sektorëve dhe zonave. Ministria e Brendshme bëri të ditur se dhjetëra persona janë arrestuar për incidente të ndryshme. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, janë regjistruar gjithashtu sulme ndaj zyrave të agjencive imobiliare.
Kriza e strehimit, shkaku kryesor i protestave Greva u organizua pas një vale protestash kundër rritjes së çmimeve të banesave dhe vështirësive për të përballuar kostot e jetesës. Një nga ngjarjet që nxiti reagimin e qytetarëve ishte dëbimi nga banesa i 87-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila kishte jetuar në të njëjtin apartament në Madrid për rreth 70 vjet. Ajo ndërroi jetë në spital disa javë pas dëbimit.
Sipas të dhënave të portalit të pasurive të paluajtshme Idealista, qiraja mujore për një apartament prej 50 metrash katrorë në Madrid arriti mesatarisht në 1,170 euro gjatë muajit tetor. Ndërkohë, paga mesatare bruto mujore në Spanjë është rreth 2,460 euro. Kjo do të thotë se qiraja për një apartament të tillë përfaqëson pothuajse gjysmën e pagës mesatare, shumë mbi kufirin prej 30% që ekspertët e konsiderojnë të përballueshëm për shpenzimet e strehimit.
Përplasjet politike përpara zgjedhjeve të 29 nëntorit Greva ka marrë edhe një dimension politik, në një kohë kur Spanja po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të parakohshme, të caktuara për 29 nëntor. Kryeministri socialist Pedro Sánchez dhe aleatët e tij kanë shprehur mbështetje për grevën, madje duke inkurajuar punonjësit të kërkojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe strehimit. Sánchez ka kujtuar se shumë prej të drejtave të punëtorëve, përfshirë orarin tetëorësh, pensionet dhe kujdesin shëndetësor publik, janë fituar falë mobilizimit dhe protestave kolektive.
Në të kundërt, Partia Popullore (PP), forca kryesore opozitare, e ka cilësuar grevën si një veprim politik të organizuar për përfitime elektorale. Kreu i saj, Alberto Núñez Feijóo, e quajti grevën të pakuptimtë dhe kritikoi ashpër sindikatat. Edhe përfaqësues të tjerë të opozitës akuzuan qeverinë se po e përdor pakënaqësinë sociale për të ndikuar te votuesit përpara zgjedhjeve.
Kryeministri Sánchez iu përgjigj kritikave duke deklaruar se e pakuptimtë është të vihet në diskutim e drejta e punëtorëve për të protestuar dhe për të hyrë në grevë. Punonjësit shpenzojnë deri në gjysmën e pagës për qiranë. Një prej pjesëmarrësve në protestat në Madrid ishte 27-vjeçari Gonzalo Álvarez, i cili punon në sektorin e shitjeve dhe është gjithashtu vullnetar në një organizatë që mbron të drejtat e qiramarrësve. Ai tha se rasti i 87-vjeçares Maricarmen Abascal ishte shkëndija që nxiti protestën.
Álvarez jeton me partneren e tij në një apartament të vogël në lagjen Arganzuela të Madridit. Çifti paguan gjithsej 1,000 euro qira në muaj, çka bën që secili të shpenzojë rreth gjysmën e të ardhurave për strehimin. Sipas tij, me çmimet aktuale të banesave dhe nivelin e pagave, blerja e një apartamenti është pothuajse e pamundur. Ndërkohë, përfaqësuesi i organizatës më të madhe të biznesit në Spanjë, Miguel Garrido, kritikoi grevën, duke argumentuar se rritja e çmimeve të banesave nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e bizneseve. Ai e cilësoi protestën si një veprim me karakter politik, të lidhur ngushtë me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.