Urgjenca e re në QSUT kushtoi 17.8 milionë euro, por skaneri jashtë funksionit prej 2 vitesh
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka një skaner urgjence që nuk punon prej dy vitesh, ndërkohë që jeta standarde e një pajisjeje të tillë është 10–12 vjet.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, akseleratori linear që ofronte shërbime radioterapie dhe radiokirurgjie kishte dalë jashtë funksionit në dhjetor 2023, ndërkohë që jeta standarde e një pajisjeje të tillë është 10–12 vjet. Në të njëjtin institucion probleme janë konstatuar edhe me angiografinë dhe mikroskopët e sallave operatore.
Burime të besueshme i thanë Inside Story se probleme ka edhe urgjenca e re, një godinë e inauguruar në vitin 2023 që kushtoi plot 17.8 milionë euro. Sipas burimeve, skaneri i urgjencës nuk punon prej dy vitesh. Edhe shërbimet e tjera kanë një sërë aparaturash jashtë funksionit.
Në një përgjigje me shkrim për Inside Story, QSUT-ja e pranon tërthorazi se ky shërbim është ende i pambuluar me këtë aparaturë të rëndësishme për diagnostikimin.
"SUNT disponon aktualisht shtatë pajisje CT, të cilat mbulojnë nevojat diagnostikuese të shërbimeve të ndryshme. Në funksion të rritjes së kapaciteteve të diagnostikimit në Urgjencë, është përfunduar procedura e prokurimit për një pajisje CT të dedikuar për këtë shërbim. Instalimi dhe vënia në funksion e pajisjes janë planifikuar brenda vitit 2026", thotë QSUT-ja.
Lidhur me mosfunksionimin e akseleratorit linear për neuroshkencën që nga viti 2023, QSUT-ja thotë se kjo ka ardhur pasi prodhuesi e ka klasifikuar me statusin “End of Life” dhe “End of Support”, për modelin përkatës. Por, QSUT-ja shpjegon se trajtimi i pacientëve është kryer dhe në buxhetin e vitit 2026, ka parashikuar blerjen e një akseleratori linear të ri, të dedikuar për Neuroshkencën.
Sa i përket angiografisë në këtë shërbim, QSUT-ja thotë se ajo përfaqëson një teknologji të avancuar, ndërsa nga katër mikroskopë kirurgjikalë që disponon ky shërbim, njëri prej tyre përfaqëson teknologji të gjeneratës së fundit dhe është vendosur gjatë vitit 2025.
Edhe shërbimi i trombektomisë ka rifilluar funksionin pas shumë vitesh ndërprerje dhe ka realizuar rastet e para të trajtimit.