Gjykata e Apelit shpalli pafajësinë për Sakicën, Troshanin dhe Kajoshin, pamjet e rënda të dhunimit të Bruçit
Gjykata e Apelit ka shpallur sot vendimin për Izmir Sakicën, Samul Troshanin dhe Alind Kajoshin, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkodrës, e cila i ka shpallur ata fajtorë vetëm për akuzën e “prishjes së qetësisë publike”.

Gjykata e Apelit ka shpallur sot vendimin për Izmir Sakicën, Samul Troshanin dhe Alind Kajoshin, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkodrës, e cila i ka shpallur ata fajtorë vetëm për akuzën e “prishjes së qetësisë publike”. Ndërkohë, në lidhje me këtë akuzë, Apeli deklaroi se ata përfitojnë nga amnistia. Bëhet fjalë për gjykimin e ngjarjes së ndodhur në vitin 2024, në Shkodër, ku këta tre persona kanë dhunuar barbarisht 64-vjeçarin Vladimir Bruçi, pas një konflikti verbal për një vend parkimi. Në këtë video të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, shfaqet e gjithë skena e dhunimit të 64-vjeçarit nga autorët. Në pamje shihet momenti kur tre personat mbërrijnë me një automjet para një pallati, zbresin nga makina, ku mbajnë nga një kallashnikov dhe një tjetër një pistoletë. Ata u drejtohen banorëve që dalin në dritare, duke u thënë “Futuni brenda”. Pasi futen në hyrjen e pallatit dhe nuk e gjejnë, ata dalin sërish. Në këtë moment vjen Bruçi, të cilin, pasi e pyesin për emrin, nisin ta godasin me forcë, ndërsa në duar mbajnë armët, por nuk i përdorin. Ata dëgjohen duke i thënë “Pse na ke sharë?”, ndërsa disa qytetarë ndërhyjnë për ta shpëtuar. Pasi e lënë pa ndjenja Bruçin në tokë, ata largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa banorët njoftojnë ambulancën, teksa i japin 64-vjeçarit ndihmën e parë. Për këtë ngjarje, Gjykata e shkallës së parë i ka shpallur fajtor vetëm për akuzën e prishjes së qetësisë.