Shqipëria 90 minuta larg një objektiv të rëndësishëm në Nations League
Shqipëria është vetëm 90 minuta larg një objektivi të rëndësishëm në Nations League, pas fitores 2-0 ndaj Finlandës. Tashmë, skuadra e Maranit ka gjithçka në dorë për të siguruar vendin e parë dhe ngjitjen direkte në Ligën B.

Fitorja 2-0 ndaj Finlandës e ngjiti kuqezinjtë në kuotën e 12 pikë dhe në krye të grupit C1. Tashmë, skuadra e Maranit ka gjithçka në dorë: një barazim ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e fundit mjafton për të siguruar vendin e parë dhe ngjitjen direkte në Ligën B.
Shqipëria ka regjistruar katër fitore dhe vetëm një humbje, atë në transfertën finlandeze. Përveç suksesit të fundit në Tiranë, Shqipëria ka mposhtur Bjellorusinë 2-0, San Marinon 3-0 në transfertë dhe 2-1 në shtëpi. Bilanci është pozitiv edhe në aspektin e golave: 10 të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar.
Pas fitores së sotme, Shqipëria kryeson me 12 pikë, e ndjekur nga Bjellorusia me 10, Finlanda me 7 dhe San Marino pa pikë. Bjellorusët fituan 2-0 në transfertë ndaj San Marinos dhe mbeten kërcënimi i vetëm për kreun.
Përballja e fundit, Bjellorusi–Shqipëri, do të luhet më 15 nëntor, në orën 18:00, në një stadium neutral dhe pa tifozë. Skenarët janë të qartë: fitorja e siguron vendin e parë, ndërsa edhe barazimi do t’i mjaftonte Shqipërisë për të mbyllur grupin me 13 pikë, dy më shumë se Bjellorusia. Vetëm humbja do t’ia kalonte kreun kundërshtarit.
Rëndësia e këtij objektivi është e madhe. Fituesi i grupit siguron promovimin direkt në Ligën B për edicionin 2028-2029, ndërsa skuadra që renditet e dyta duhet të kalojë përmes një faze play-off-i në mars 2027, përballë një përfaqësjeje që përfundon e katërta në Ligën B.
Edhe në edicionin 2020-2021, Shqipëria e mbylli grupin e Nations League në vendin e parë, nën drejtimin e Edi Rejës. Atëherë, kuqezinjtë grumbulluan 11 pikë në gjashtë ndeshje, me tri fitore, dy barazime dhe një humbje, duke lënë pas pikërisht Bjellorusinë.
Këtë herë, situata është më e favorshme. Shqipëria ka grumbulluar 12 pikë në vetëm pesë ndeshje, ka shënuar më shumë dhe ka pësuar më pak gola se në të gjithë edicionin e vitit 2020. Mbi të gjitha, nuk ka më nevojë për një fitore me çdo kusht.
Pas zhgënjimit të edicionit 2022-2023, kur në Ligën B Shqipëria përfundoi e fundit në grup me vetëm dy pikë, rikthimi në këtë nivel është një mundësi që kuqezinjtë nuk duan ta humbasin.
Maran dhe skuadra e tij kanë bërë pjesën më të madhe të punës. Tani mbetet vetëm hapi i fundit: të shmangin humbjen ndaj Bjellorusës dhe të sigurojnë kreun e grupit C1.