Brajani Gruda, djali i Bujarit, shënon për Gjermaninë dhe bën ëndrrën e shkodranëve
Brajani Gruda, djali i ish-futbollistit Bujar Gruda, ka shënuar golin e parë me kombëtaren gjermane, duke i dhënë një kuptim të ri lidhjes së tij me Shqipërinë dhe veçanërisht me Shkodrën.

Shkodra ka një simpati të vjetër për Gjermaninë, sidomos në Europianët dhe Botërorët ku mungojnë kuqezinjtë. Tani, një djalë me rrënjë shkodrane ka shënuar golin e parë me “Panzerat”, pasi refuzoi disa herë Shqipërinë.
Brajani Gruda, djali i ish-futbollistit të Vllaznisë, Bujar Gruda, ka gjetur golin e parë me kombëtaren gjermane, duke i dhënë një tjetër kuptim lidhjes së tij me Shqipërinë dhe veçanërisht me Shkodrën. Në qytetin verior ekziston prej vitesh një simpati e veçantë për Gjermaninë. Sa herë që Shqipëria mungon në Europian apo në Kupën e Botës, një pjesë e madhe e shkodranëve gjejnë te “Panzerat” një skuadër për të bërë tifo.
Por këtë herë lidhja është edhe më interesante. Bujar Gruda ka veshur fanellën e Vllaznisë në vitet ’80, ndërsa i biri, Brajani, po ndërton karrierën ndërkombëtare me Gjermaninë. Shqipëria u përpoq disa herë ta bindte talentin me origjinë shqiptare që të zgjidhte kuqezinjtë, por përgjigjja e tij ishte gjithmonë në favor të Gjermanisë.
Dhe tashmë ai ka nisur të shpërblejë besimin e marrë nga kombëtarja gjermane. Në ndeshjen ndaj Serbisë, Gruda shënoi golin e tij të parë me përfaqësuesen A, duke përjetuar një moment të veçantë në karrierën ndërkombëtare. Një gol që ndoshta në Shkodër do të festohet me kënaqësi të veçantë. Në fund të fundit, kur Shqipëria nuk është në Europian apo Botëror, Gjermania është shpesh zgjedhja e dytë e shkodranëve. Tani kanë edhe një arsye më shumë për të bërë tifo: një Gruda që mban mbiemrin e një futbollisti të Vllaznisë, por që shënon për Gjermaninë.