KLSH zbulon shkelje në 17 bashki, miliona lekë dëm dhe shkelje me fondet
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar raporte të auditimit të kryer në 17 bashki, duke konstatuar shkelje dhe parregullsi në zbatimin e kontratave të investimeve publike, regjistrimin e detyrimeve të bizneseve dhe regjistrimin e aksioneve. Auditimet kanë zbuluar miliona lekë dëm ekonomik dhe shkelje me fondet në bashkiet Durrës, Fier, Korçë, Elbasan, Berat, Lushnjë dhe Sarandë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar raporte të auditimit të kryer në 17 bashki, duke konstatuar shkelje dhe parregullsi në zbatimin e kontratave të investimeve publike, regjistrimin e detyrimeve të bizneseve dhe regjistrimin e aksioneve. Auditimet kanë zbuluar miliona lekë dëm ekonomik dhe shkelje me fondet në bashkiet Durrës, Fier, Korçë, Elbasan, Berat, Lushnjë dhe Sarandë.
Në Bashkinë Durrës, KLSH ka konstatuar 30.3 milionë lekë dëm ekonomik në zbatimin e kontratave të investimeve publike, ndërsa në fund të vitit 2024 rezultonin 1.86 miliardë lekë detyrime të papaguara nga bizneset dhe familjet. Auditimi i 27 procedurave të prokurimit ka evidentuar mangësi në përcaktimin e kritereve të kualifikimit dhe raste kur janë shpallur fitues operatorë ekonomikë që nuk plotësonin kërkesat e dokumenteve të tenderit.
Në Bashkinë Fier, KLSH ka konstatuar se 551 milionë lekë detyrime të papaguara nga bizneset, të krijuara nga viti 2017 e në vijim, nuk ishin pasqyruar në kontabilitet. Auditimi ka evidentuar gjithashtu pasaktësi në regjistrimin e investimeve dhe aktiveve publike, duke përfshirë investime të përfunduara që vazhdonin të figuronin si investime në proces.
Në Bashkinë Korçë, KLSH ka konstatuar se pjesëmarrjet në kapitalin e shoqërive tregtare dhe publike, me vlerë 722.6 milionë lekë, nuk ishin pasqyruar në llogarinë përkatëse të kontabilitetit. Audituesit kanë evidentuar gjithashtu nënvlerësimin me 23.4 milionë lekë të një llogarie të detyrimeve financiare dhe diferenca prej 23.1 milionë lekësh në pasqyrimin e investimeve.
KLSH ka dhënë 45 rekomandime për Bashkinë Durrës, duke kërkuar marrjen e masave për shpërblimin e dëmit ekonomik, arkëtimin e detyrimeve, përmirësimin e procedurave të prokurimit dhe ndjekjen e shkeljeve në kontrollin e territorit. Për Bashkinë Fier, KLSH ka dhënë 14 rekomandime, duke kërkuar regjistrimin e detyrimeve të bizneseve, korrigjimin e pasaktësive financiare dhe analizimin e përgjegjësive për marrjen e masave administrative e disiplinore. Për Bashkinë Korçë, KLSH ka dhënë 12 rekomandime për sistemimin e llogarive, regjistrimin e aksioneve dhe përmirësimin e administrimit të aktiveve.