Kuqezinjtë e vegjël bëjnë krenarë Shqipërinë, tetë gola në dy ndeshje dhe ngjitje në Ligën A
Kombëtarja shqiptare U-19 ka dominuar plotësisht raundin e dytë të kualifikueseve të Europianit 2026/27 dhe është ngjitur në Ligën A.

Kombëtarja shqiptare U-19 ka dominuar plotësisht raundin e dytë të kualifikueseve të Europianit 2026/27, duke siguruar me meritë ngjitjen në Ligën A. Kuqezinjtë e trajnerit Fatjon Tafaj e mbyllën këtë fazë me dy fitore bindëse, tetë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.
Pas triumfit 4-0 ndaj Qipros në ndeshjen e parë, Shqipëria përsëriti të njëjtin rezultat edhe përballë Armenisë, duke vulosur vendin e parë në grup me pikë të plota. Kuqezinjtë e nisën sfidën në mënyrë perfekte. Që në minutën e 4-t, Armend Muslika realizoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit, duke kaluar Shqipërinë në avantazh. Në fundin e pjesës së parë, Gabriel Kulla dyfishoi shifrat, pasi u shfaq i saktë përballë portierit kundërshtar.
Në minutën e 61-të ishte radha e Alen Vukajt për të lënë gjurmën e tij. Sulmuesi realizoi pas një depërtimi individual mjaft të bukur, duke mposhtur portierin armen. Festën kuqezi e kompletoi sërish Gabriel Kulla, i cili në minutën e 74-t vulosi fitoren 4-0 dhe dopietën personale.
Me këtë sukses, Shqipëria U-19 konfirmon një ecurie perfekte në këtë raund: dy ndeshje, dy fitore, tetë gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Një bilanc që i siguron skuadrës së Fatjon Tafajt kalimin në Ligën A, ku do të ketë mundësinë të luftojë për një biletë në fazën finale të Europianit.