Arrestohet 23-vjeçari që qarkullonte i armatosur në Vlorë
Një 23-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Vlorë, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë. Drejtuesi i automjetit, një 37-vjeçar, është akuzuar për moskallëzim krimi.

Një 23-vjeçar është arrestuar në flagrancë në qytetin e Vlorës, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë. Në kuadër të operacionit të koduar “Siguria”, policia ndaloi për kontroll një automjet në lagjen “Kushtrimi”, ku i riu udhëtonte si pasagjer dhe gjatë kontrollit fizik iu gjet arma e zjarrit. Në pranga ra edhe drejtuesi i automjetit, një 37-vjeçar, i cili akuzohet për moskallëzim krimi. Policia sekuestroi pistoletën, automjetin dhe dy telefona celularë. Vlorë/Finalizohet operacioni i koduar “Siguria”, për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale. Qarkullonte i armatosur me pistoletë, kapet dhe arrestohet në flagrancë 23-vjeçari. Arrestohet për moskallëzim krimi, 37-vjeçari që e transportonte me automjet, me precedent kriminal në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, automjeti dhe 2 celularë. Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte i armatosur në qytetin e Vlorës, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Siguria”. Gjatë operacionit, në lagjen “Kushtrimi”, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit R. H. dhe A. Ç. Gjatë kontrollit fizik ndaj pasagjerit, shtetasit R. H., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit: R. H., 23 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; A. Ç., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.