TRONDITËSE NË KOSOVË/ Gruaja ndërron jetë pasi iu përkeqësua gjendja gjatë marrjes në pyetje në polici
Gruaja kosovare ka vdekur në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë intervistimit në ambientet e Policisë së Kosovës.

Gruaja ishte ndaluar një ditë më parë në pikën kufitare të Vërmicës, së bashku me një person tjetër, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin u gjetën dhe u sekuestruan mbi 105 gramë kokainë, dy fishekë dhe dy telefona celularë. Gruaja po merrej në pyetje në praninë e avokatit mbrojtës, kur ka shfaqur probleme shëndetësore. Pavarësisht ndihmës mjekësore, ajo ka ndërruar jetë rreth orës 01:30. Trupi është dërguar për ekspertizë, ndërsa për zbardhjen e plotë të rrethanave kanë nisur hetimet, ku është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Autoritetet kufitare të Kosovës më datën 15.11.2026 rreth orës 18:00 kanë ndaluar një veturë BMË me targa lokale në të cilin ndodheshin një mashkull dhe një femër shtetas të Kosovës. Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm, dhe dy telefona celularë. Personat e dyshuar janë të njohur për Policinë, ku me urdhër të prokurorit kompetent është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar, me ç‘rast është gjetur dhe është konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS dhe kamerave.
Pas intervistimit i dyshuari mashkull është ndaluar për 48, ndërkohë, pas përkeqësimit të gjendjes së të dyshuarës ajo ka vdekur në spital dhe trupi është dërguar për ekspertizë në mjekësinë ligjore. Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë përgjegjëse hetimore të Stacionit Policor në Prizren, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, IPK-ja si dhe prokurori kujdestar. Të gjitha njësitë kompetente policore, përfshirë Hetuesinë dhe Forenzikën kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit.