Nëntë të arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit në Tiranë
Nëntë persona janë arrestuar dhe 21 të tjerë janë proceduar penalisht nga Policia Rrugore e Tiranës për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Nëntë persona janë arrestuar dhe 21 të tjerë janë proceduar penalisht nga Policia Rrugore e Tiranës, në kuadër të kontrolleve të shtuara për sigurinë në qarkullim. Gjatë ditëve të fundit, janë konstatuar dhe ndëshkuar administrativisht 4384 shkelje rrugore.
Njëri prej të arrestuarve kreu manovra të rrezikshme në sheshin “Skënderbej”, gjatë zhvillimit të Maratonës së Tiranës. Ai drejtonte motomjetin pa leje dhe në efektin e lëndëve narkotike. 8 të arrestuarit e tjerë dhe 21 të proceduarit drejtonin mjetet në efektin e alkoolit.
Gjithashtu, Policia Rrugore e Tiranës ka monitoruar akset në afërsi të shkollave për të garantuar sigurinë dhe përparësinë e nxënësve. Gjatë monitorimit permanent, janë konstatuar dhe ndëshkuar 4384 shkelje rrugore, duke përfshirë:
* 3780 drejtues të ndëshkuar për ndalim, pushim ose qëndrim të gabuar të mjetit * 159 drejtues të ndëshkuar për pozicionim të gabuar të mjetit në korsi * 103 shtetas të ndëshkuar për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit * 123 drejtues të ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit * 176 drejtues të ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse
Policia Rrugore e Tiranës apelon sërish për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe për shmangien e sjelljeve që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës.