Rama në Bruksel: Politika europiane shpesh na zhgënjen
Kryeministri Rama tha se politika europiane shpesh na zhgënjen dhe që Komisioni i BE-së ka të drejtën që të na torturojë, por që mungon politika.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian. I pyetur se “cila është pikëpamja juaj për të pasur një integrim gradual, është mundësi kjo?”, kreu i qeverisë u përgjigj: “Jo vetëm që nuk e kundërshtoj, por kam luftuar për këtë për një kohë të gjatë. Plani i rritjes në vetvete është një instrument që e pasqyron këtë qasje nga ana e Komisionit dhe BE-së, sepse hendeku vazhdon që të jetë i madh dhe nevoja për të pasur më shumë nga sa u takon kapaciteteve, për të mbyllur këtë hendek, është e jashtëzakonsheme. Përpjekjet për të bërë gjëra që ju përmendët, si anëtar i asociuar i Ukrainës, nuk shkojnë asgjëkundi, sepse është një gënjeshtër dhe nuk kanë të bëjnë me instrumentin e BE-së, sepse bazohet në meritë. Procesi i bazuar në meritë është kryesisht një dhuratë për ne, është një proces që na bën të aftë të bëjmë gjëra që nuk do të ishim në gjendje që t’i bënim. Për fat të mirë, në mes të Europës kemi BE-në, i cili është burimi më i jashtëzakonshëm i dijes se si krijohen institucionet. Gjithashtu është vendi i torturave, ata e dinë saktësisht se si të derdhin gjak në çdo hap që hedhim. Shqipëria është një vend krejt ndryshe falë këtij procesi. Europa nuk ta jep anëtarësimin pa meritë. Por, ajo që mendoj që mungon është politika. Mendoj që Komisioni ka të drejtën që të na torturojë, por politika e BE-së shpesh na zhgënjen, sepse na rrëzon për shkak të konflikteve të shteteve anëtare”, tha kreu i qeverisë.