Rrjeti iranian i atentateve në Greqi, takime sekrete në Iran dhe vende të treta
Hetimet për shkatërrimin e një rrjeti të dyshuar iranian, i cili dyshohet se po përgatiste një atentat ndaj një shtetasi izraelit në Greqi, kanë zbuluar takime sekrete në Iran dhe vende të treta.

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për shkatërrimin e një rrjeti të dyshuar iranian, i cili dyshohet se po përgatiste një atentat ndaj një shtetasi izraelit në Greqi. Anëtarët e grupit zhvillonin takime të fshehta në vende të treta, përfshirë edhe Iranin, me qëllim koordinimin e operacionit dhe shmangien e vëmendjes së autoriteteve.
Shërbimi Informativ Kombëtar i Greqisë (EYP) po heton kontaktet e rrjetit në disa shtete, si dhe lidhjet e tij me persona të dyshuar për bashkëpunim me shërbimet iraniane të inteligjencës. Sipas hetimeve, plani dyshohet se ishte koordinuar nga shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i cili akuzohet se drejtonte krahun operacional të rrjetit dhe kishte rekrutuar persona me precedentë penalë për të fshehur gjurmët e përfshirjes së mundshme të Teheranit.
Hetuesit dyshojnë se grupi kishte lidhje të drejtpërdrejta me organizata kriminale dhe kishte marrë përsipër përgatitjen logjistike të një sulmi në Greqi. Një tjetër pistë e rëndësishme e hetimit është lidhja e dyshuar e personave të arrestuar me organizatën kriminale të drejtuar nga Naji Sharifi Zindashti, një figurë e njohur e krimit të organizuar iranian, e cila është në vëmendjen e autoriteteve amerikane.
Dyshohet se Zindashti ka luajtur rol në rekrutimin e personave që do të kryenin atentatin, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbardhin të gjithë zinxhirin e kontakteve dhe financimit. Shënjestra e sulmit ishte, Avraam-Minos E. Moissis, një biznesmen dhe njëkohësisht dhe drejtues i lartë i një kompanie të prodhimit të armëve në izrael. Ai njihet kryesisht për rolet e tij drejtuese dhe pjesëmarrjen në bordet e drejtorëve të disa kompanive të mëdha në Greqi, veçanërisht në sektorin farmaceutik dhe atë tregtar/industrial.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim mes shërbimeve greke, atyre të Maqedonisë së Veriut dhe agjencive të tjera ndërkombëtare, ndërsa po verifikohen edhe lidhjet e mundshme të rrjetit me persona të tjerë në rajon.