Rendi i Ditës/ Kuvendi diskuton sot Paketën Fiskale dhe Buxhetin 2027
Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën plenare ku do të diskutohet dhe shqyrtohen projektbuxheti për vitin 2027 dhe Paketa Fiskale.

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën plenare ku do të diskutohet dhe shqyrtohen projektbuxheti për vitin 2027 dhe Paketa Fiskale. Të dyja nismat kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare. Seanca pritet të shoqërohet me debate politike, ndërsa Partia Demokratike do të jetë e përfaqësuar me një numër më të vogël deputetësh për shkak të përjashtimit të 12 ligjvënësve.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se demokratët do të votojnë kundër projektbuxhetit, duke e cilësuar hartimin e tij si një proces të zhvilluar në mungesë transparence dhe pa konsultime me qytetarët apo përfaqësuesit e biznesit. Ai ka thënë se projektbuxheti favorizon një grup të kufizuar përfituesish, ndërsa barra financiare bie mbi qytetarët dhe sipërmarrjet shqiptare.
Pas votimit në parim në Kuvend, projektbuxheti do t’u rikthehet komisioneve parlamentare për shqyrtimin nen për nen, përpara se të kalojë sërish në seancë plenare për votimin përfundimtar. Përveç projektbuxhetit të vitit 2027, deputetët do të shqyrtojnë edhe disa ndryshime në legjislacionin fiskal, që prekin tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu ndryshimet në ligjin për strehimin social, një vendim për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, si dhe diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës. Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 29 tetorit 2026, për të vijuar më pas me njoftimet dhe shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara.