Kryeministri Edi Rama mbërrin në Kuvend për diskutimet mbi Paketën Fiskale dhe Buxhetin 2027
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kuvend për të nisur seancën e sotme plenare, ku do të diskutohet Paketa Fiskale dhe Buxheti 2027. Partia Demokratike do të jetë e përfaqësuar me një numër më të vogël deputetësh për shkak të përjashtimit të 12 ligjvënësve.

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kuvend, pak para orës 10:00, ku pritet të nisë seanca e sotme plenare. Sot në rend dite do të jenë diskutimet për Paketën Fiskale dhe Buxhetin e vitit 2027. Të dyja nismat kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare.
Partia Demokratike do të jetë e përfaqësuar me një numër më të vogël deputetësh, për shkak të përjashtimit të 12 ligjvënësve. Mes tyre janë edhe kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.
Një ditë para seancës, kreu i PD-së, Sali Berisha, bëri të qartë qendrimin e opozitës, duke deklaruar se demokratët do të votojnë kundër projektbuxhetit. Ai e cilësoi hartimin e tij si një proces të zhvilluar në mungesë transparence dhe pa konsultime me qytetarët apo përfaqësuesit e biznesit.
Sipas Berishës, projektbuxheti favorizon një grup të kufizuar përfituesish, ndërsa barra financiare bie mbi qytetarët dhe sipërmarrjet shqiptare.
Pas votimit në parim në Kuvend, projektbuxheti do t’u rikthehet komisioneve parlamentare për shqyrtimin nen për nen, përpara se të kalojë sërish në seancë plenare për votimin përfundimtar.
Përveç projektbuxhetit të vitit 2027, deputetët do të shqyrtojnë edhe disa ndryshime në legjislacionin fiskal, që prekin tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu ndryshimet në ligjin për strehimin social, një vendim për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, si dhe diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 29 tetorit 2026, për të vijuar më pas me njoftimet dhe shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara.