Berisha: Largimi i opozitës ishte i qëllimshëm, Rama nuk mund të dëgjon
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpjeguar arsyet e largimit të deputetëve të opozitës nga salla e Kuvendit, në momentin kur kryeministri Edi Rama mori fjalën për të prezantuar projektbuxhetin e vitit 2027.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpjeguar arsyet e largimit të deputetëve të opozitës nga salla e Kuvendit, në momentin kur kryeministri Edi Rama mori fjalën për të prezantuar projektbuxhetin e vitit 2027. Në një prononcim për gazetarët jashtë Kuvendit, Berisha tha se largimi ishte i qëllimshëm, ndërsa e shoqëroi qëndrimin e tij me akuza ndaj kryeministrit për korrupsion dhe përfshirje në afera me fondet publike. “Unë e dija që do fliste, prandaj dolëm. Thjesht ai nuk mund të dëgjohej”, deklaroi Berisha, i pyetur nga gazetarët nëse opozita ishte në dijeni se Rama do të mbante fjalën. Kreu i PD-së sqaroi se largimi nga salla nuk do të thotë se opozita do të shmangë përballjen me kryeministrin në Kuvend. “Ne do themi fjalën edhe brenda. Ne do t’ia themi në sy të gjitha ato. Po ai ikën, ai ia mbath”, u shpreh Berisha. Gjatë deklaratës, ai e cilësoi Kuvendin si një parlament që ka humbur legjitimitetin, ndërsa e quajti Ramën “Padrino i Shqipërisë”. Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit për përfitime të dyshuara nga aferat e inceneratorëve, AKSHI-t, aeroportit të Vlorës, tunelit të Llogarasë dhe Portit të Durrësit, duke pretenduar se përgjegjësitë penale për këto çështje do të kërkonin dënime shumëvjeçare. “I duhen tre jetë për të vuajtur dënimet për krimet e shëmtuara ndaj shqiptarëve”, deklaroi ai. Kreu demokrat akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve dhe studentëve, të cilët, sipas tij, kërkojnë zgjedhje të ndershme dhe një qeveri legjitime. Në fund të prononcimit, Berisha iu rikthye situatës ekonomike, duke pretenduar se rritja e të ardhurave për frymë nuk pasqyron gjendjen reale të qytetarëve dhe se shqiptarët po varfërohen nga viti në vit si pasojë e korrupsionit qeveritar.