Ekonomi

Embargoja e Vuçiçit nuk ndali eksportin e armëve nga Serbia

3 min leximPublikuar më

Burimi: Top Channel ·

Raportet financiare të kompanisë shtetërore Jugoimport SDPR tregojnë se të ardhurat e kompanisë nga importi dhe eksporti i armatimit tejkaluan 300 milionë euro në vitin 2025, ndërsa eksporti i armëve nuk u ndal në periudhën e moratoriumit të Vuçiçit.

Foto nga burimi: Embargoja e Vuçiçit nuk e ndali eksportin e armëve nga Serbia

Megjithëse Serbia vendosi embargo ndaj eksportit të armëve, shitjet jashtë vendit vazhduan dhe kompania shtetërore, Jugoimport SDPR, realizoi fitime milionëshe. Kjo e tregojnë raportet financiare të kompanisë për vitin 2025, të cilat i analizoi Radio Evropa e Lirë. Të ardhurat e Jugoimport SDPR-së, që burojnë nga importi dhe eksporti i armatimit, tejkaluan 300 milionë euro. Kompania u rendit në mesin e pesë ndërmarrjeve në Serbi me rritjen më të madhe të të ardhurave. Importi i armëve nuk ishte i kufizuar, por kompania vazhdoi të siguronte të ardhura edhe nga eksporti, ndonëse Serbia e kishte të pezulluar zyrtarisht shitjen e armëve dhe municioneve jashtë vendit. Marrëveshjet për tregtinë e armëve, si rregull, mbaheshin rreptësisht konfidenciale nga pushteti i kaluar. Eksporti rifilloi në shkurt të vitit 2026. Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë, Jugoimport SDPR-ja pretendon se eksportet e saj nuk ishin ndalur, por se ishte ashpërsuar procedura për marrjen e lejeve të eksportit. “Përveç pëlqimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrësë së Mbrojtjes dhe BIA-s (Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit), u vendos edhe kërkesa për pëlqimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, thuhet në përgjigjen e kompanisë. Në krye të këtij këshilli ishte Vuçiq – atëkohë në cilësinë e presidentit të shtetit. “Fakti që aktivitetet tregtare vazhduan, tregon se ekzistonin dy lista. Në njërën anë kishte një bllokadë zyrtare për të gjithë, ndërsa, në anën tjetër, një listë të atyre që kishin marrë miratimin për eksport”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq. “Në fakt, vendimi ishte në duart e Vuçiqit. Ai e vendosi moratoriumin me vullnetin e tij. Dhe, nëse Vuçiq thoshte se mund të eksportohej diku, atëherë eksporti realizohej. Gjithçka tjetër mbetej nën embargo”, shton ai. Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me tregtinë e armëve dhe rolin e ish-presidentit në këto marrëveshje. Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, kompania përmendi Qipron, Azerbajxhanin dhe Izraelin si disa nga klientët e saj kryesorë, por nuk sqaroi se çfarë lloj bashkëpunimi tregtar ka me ta. Nga kush i importon Serbia armët? Pjesa më e madhe e importeve të kompanisë Jugoimport SDPR gjatë vitit 2025 – gjithsej 90 për qind – ishin furnizime për Forcat e Armatosura të Serbisë, tregojnë dokumentet financiare. Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, kompania thotë se Ministrisë së Mbrojtjes i ofrojnë mbështetje në punët administrative, si hartimi i kontratave dhe kryerja e pagesave, por se kompania nuk vendos vetë se çfarë do të blihet dhe nga kush. Ministria e Mbrojtjes nuk dha informacione për këto furnizime, ndërsa raportet e organizatave ndërkombëtare, gjatë viteve të fundit, kanë treguar se Serbia ka importuar pjesën më të madhe të armatimit dhe pajisjeve ushtarake nga Kina, përfshirë raketa balistike dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore.

Përmbajtje e përgatitur me ndihmën e automatizimit dhe me citim të burimit. Citimi nuk përbën verifikim të pavarur.

PARASHIKIMI I MOTIT

Moti në qytetin tënd

Po ngarkohet parashikimi…

Parashikimi nga tani: MET Norway · CC BY 4.0

HOROSKOPI I DITËS

Një çast për veten

Marrëdhëniet

Puna dhe planet

· Lexim për argëtim, i përzgjedhur automatikisht çdo ditë.