Pensionistët në Durrës sorollaten në radhë për të marrë pensionin, nuk ka para në sportele
Pensionistët në Durrës përballen me vështirësi për të tërhequr pensionin e tyre, pasi fondi ditor i parave në sportel përfundon pa mundur të marrin të gjithë atë që u takon.

Pensionistët në Durrës janë të shqetësuar për shkak të vështirësive që përballen për të tërhequr pensionin e tyre. Radhë dhe pritje të gjata përsëriten çdo ditë në filialin e Postës Shqiptare në zonën e Plazhit në Durrës. Sipas tyre, situata është e ngjashme jo vetëm në Durrës, por edhe në lagje të tjera të qytetit.
Sipas një pensionisti, fondi ditor i parave në sportel përfundon pa mundur të marrin të gjithë atë që u takon. Përgjigjja që marrin është se nuk ka më para dhe duhet të kthehen ditën tjetër. Kështu, shumë prej tyre detyrohen të rikthehen sërish në radhë, pa asnjë garanci se do të arrijnë ta marrin pensionin.
Në radhë nuk janë vetëm pensionistët që kanë datën e tërheqjes së pensionit, por edhe ata të datave të mëparshme, të cilët nuk kanë mundur të marrin paratë në ditën e caktuar. Pritja bëhet edhe më e vështirë pasi të moshuarit vuajnë dhe nga sëmundje kronike, po pavarësisht gjendjes shëndetësore, duhet të qëndrojnë në radhë për të marrë të ardhurat e tyre mujore.
Ky është një problem që përsëritet dhe që i detyron të humbasin kohë e të përballojnë lodhjen për të marrë pensionin që u takon. Filiali i Postës Shqiptare në Durrës duhet të reagojë lidhur me fondin ditor që nuk përballon fluksin e pensionistëve dhe nëse do të ketë masa për të shmangur radhët dhe kthimin e tyre ditë pas dite.