24-vjeçarja ra nga dritarja e taksisë, zbulohen detaje të reja
Një 24-vjeçare është rrëzuar nga dritarja e një taksie në zonën e Mulletit, ndërsa shoferi dhe shoqja e saj janë nën ndalje policore.

Një 24-vjeçare ka mbetur e dëmtuar pasi është rrëzuar nga dritarja e pasme e një taksie në zonën e Mulletit. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 15 nëntor 2026, ndërsa e reja po merr ndihmë mjekësore në spital.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, 24-vjeçarja ndodhej në taksi së bashku me një shoqe, ndërsa mjeti drejtohej nga një 47-vjeçar, teksa të tre dyshohet se kishin konsumuar alkool në zonën e Mulletit.
Në një moment, e reja ka hipur në dritaren e pasme të automjetit për të realizuar një video, por është rrëzuar. Policia ka ndaluar shoferin 47-vjeçar dhe ka proceduar penalisht edhe pasagjeren tjetër, 23-vjeçaren L. T., e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës dhe dhënie të deklaratës së rreme.