Ekspozohen flamuj, medalje dhe uniforma mbretërore nga koleksioni i Artan Lames
Ekspozita "Monarkia" në ambientet e ish gardës së Republikës ka ekspozuar koleksionin e Artan Lames, i cili përfshin flamuj, medalje dhe uniforma mbretërore nga periudha e mbretërimit të Ahmet Zogut.

Objektet e rralla me rëndësi të madhe për trashëgiminë tonë kulturore janë koleksionuar nga i ndjeri Artan Lame dhe sot ekspozohen për publikun nga e bija, Lisia Lame. "Ka kartolina, medalje, objekte të tjera të jetës së përditshme, uniforma. Akoma më interesante janë medaljet, të mbledhura me kujdesin më të madh", tha Lisia Lame, vajza e Artan Lames.
Në ambientet e ish gardës së Republikës, ku u çel ekspozita “Monarkia”, u vizitorët panë nga afër koleksionin e uniformave, të renditura nga ushtari më i thjeshtë te ai me gardën më të lartë, duke përfunduar në një kënd të veçantë me uniformën personalizuar të mbretit të shqiptarëve. "Të gjitha objektet përfshijnë fillimin e shekullit XX deri në vitet ’40", deklaroi ajo.
Këto objekte dhe artefakte me vlerë historike dhe kulturore janë trashëgimia që Artan Lame, i cili u nda nga jeta një vit më parë, i la jo vetëm familjes së tij, por të gjithë vendit. Ndërkohë, qëllimi final mbetet hapja e një muzeu të përhershëm me të gjithë koleksionin e Lames.