OPERACIONI GJENIAL PËR URËN NË KRIMË
Operacioni ushtarak ukrainas kundër urës së Krimesë, një nga objektivat më të rëndësishme të Rusisë, u zhvillua në shtatë faza dhe rezultoi në shembjen e një pjese të harkut prej çeliku dhe ndërprerjen e qarkullimit të automjeteve.

Ura e Krimesë, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore të Rusisë, u godit dhe doli jashtë funksionit pas një operacioni ushtarak që u zhvillua në shtatë faza. Sulmi u krye gjatë natës, mes së hënës dhe së martës, pas një plani që ishte përgatitur për javë të tëra. Sipas versionit të Kievit, fillimisht u goditën sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, radarët dhe pajisjet e luftës elektronike, me synimin për të dobësuar mbrojtjen e urës. Më pas, dronët dhe raketat ukrainase u drejtuan kundër vetë strukturës. Goditja e parë dëmtoi pjesën qendrore të urës rrugore, por pa e shembur plotësisht atë, ndërsa sulmet pasuese nuk i lanë kohë autoriteteve ruse të merrnin masa dhe shkaktuan shembjen e një pjese të harkut prej çeliku që nga pesha dëmtoi edhe segmentin e hekurudhës poshtë tij. Zelensky bëri të ditur se në operacion u përdorën disa lloje dronësh dhe raketash, mes tyre “Neptun”, “Flamingo” dhe mjete të tjera të prodhimit ukrainas. Dëmet kanë detyruar autoritetet të ndërpresin qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, pala ruse ka njoftuar rifillimin e pjesshëm të trafikut hekurudhor, megjithëse edhe kjo linjë ka pësuar dëmtime. Nga Moska, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Vladimir Putin ishte informuar për sulmin dhe se ura do të rindërtohet. Ura e Krimesë është rreth 19 kilometra e gjatë dhe ka një rëndësi të veçantë për Moskën, si në aspektin infrastrukturor, ashtu edhe në atë politik.