Peleshi kërkon vizitën urgjente të raportuesve të Komisionit të Venecias në Shqipëri
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka dërguar një letër Presidentes së Komisionit të Venecias, Marta Cartabia, ku i kërkon organizimin e një vizite urgjente të raportuesve të këtij institucioni në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i ka dërguar një letër Presidentes së Komisionit të Venecias, Marta Cartabia, ku i kërkon organizimin e një vizite urgjente të raportuesve të këtij institucioni në Shqipëri. Peleshi kërkon që vizita të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur, mundësisht gjatë javës së ardhshme ose, alternativisht, javën pasuese, në varësi të disponueshmërisë së raportuesve. Kërkesa e Peleshit vjen në kuadër të reformës zgjedhore dhe diskutimit të rekomandimeve për projektligjin “Për financimin e partive politike”. Në letër, Peleshi thekson se vizita do të shërbente për të diskutuar rekomandimet e përfshira në Opinionin e Përbashkët të Komisionit të Venecias dhe Drejtorisë së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës të Këshillit të Evropës, të miratuar në qershor, si dhe për të vlerësuar progresin e bërë në hartimin e projektligjit.