Zjarr në fabrikë ëmbëlsirash në Indonezi, të vdekur dhe të zhdukur
Një zjarr masiv ka shpërthyer në një fabrikë ëmbëlsirash në perëndim të Xhakartës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën tre personave dhe duke lënë 36 të tjerë të zhdukur.

Një zjarr i madh ka përfshirë një fabrikë ëmbëlsirash në provincën Banten, rreth 50 kilometra larg Xhakartës, kryeqytetit të Indonezisë. Zjarri shpërtheu pasditen e së shtunës në ambientet e kompanisë PT Fonua Agung Mulia. Autoritetet e kërkim-shpëtimit kanë konfirmuar se numri i personave të zhdukur është ulur në 36, ndërsa tre persona janë konfirmuar të vdekur.
Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në qendrat shëndetësore për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, por puna e ekipeve është vështirësuar për shkak se zjarri vazhdon të jetë aktiv në disa pjesë të kompleksit industrial.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit të zjarrit. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi atë që mund të ketë shkaktuar flakët.