Shofer shqiptar arrestohet në Francë për transportim kokaine
Një shofer shqiptar është arrestuar në Francë pasi në kamionin e tij u gjetën 114.6 kilogramë kokainë të fshehura.

Një shofer shqiptar 50-vjeçar u arrestua në Francë pasi në kamionin që ai drejtonte u gjetën 114.6 kilogramë kokainë të fshehura. Sekuestrimi i drogës u krye në pikën e pagesës së autostradës në Arles, gjatë një kontrolli në orët e para të mëngjesit. Operacioni u zhvillua gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit, kur oficerët e doganës ndaluan për kontroll një kamion me targa italiane që transportonte mallra për një rrjet të madh tregtar. Gjatë verifikimit të automjetit, efektivët zbuluan një ngarkesë të fshehur droge në mbajtësen e bobinave të kamionit. Në total, autoritetet sekuestruan 114.6 kilogramë kokainë dhe shoferi shqiptar u arrestua, duke u dorëzuar Zyrës Kundër Narkotikëve të Policisë Gjyqësore në Marsejë. Ai u vendos në paraburgim në pritje të daljes para gjykatës. Gjatë marrjes në pyetje, shoferi shqiptar mohoi të ketë pasur dijeni për drogën, duke pretenduar se kokaina ishte vendosur në kamion pa dijeninë e tij. Sipas mediave franceze, shqiptari nuk ka precedentë penalë dhe nuk ka qenë më parë i njohur për drejtësinë franceze. Ai pritet të përballet me akuza për posedim, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transportimin e mallrave të ndaluara në kundërshtim me legjislacionin doganor. Seanca gjyqësore është parashikuar të zhvillohet më 24 nëntor në Gjykatën e Tarasconit, në kuadër të një procedure të përshpejtuar.