Gjykata e Tiranës pushon çështjen penale ndaj avokatit Uljan Barjami
Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj avokatit Uljan Barjami, i cili u ndalua pas një përplasjeje në sallën e gjyqit me prokurorin Gjergji Ceka.

Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj avokatit Uljan Barjami, i cili u ndalua pak kohë më parë në Elbasan, pas një përplasjeje në sallën e gjyqit. Barjami u ndalua me iniciativën e oficerit të Policisë Gjyqësore, ndërsa në momentin e ngjarjes ishte në cilësinë e mbrojtësit ligjor të të dyshuarit Maksim Suçi.
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, avokati nuk ka konsumuar veprë penale. Ndërkohë, janë zbardhur edhe momentet e debatit në sallën e gjyqit, ku Barjami u përplas verbalisht me prokurorin Gjergji Ceka dhe gjyqtaren Megi Strakosha. Gjatë seancës, avokati pretendoi se në kërkesën e prokurorisë për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ishin pasqyruar të dhëna të rreme.
Avokati deklaroi se do të ndiqte rrugën ligjore ndaj prokurorit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore, duke shkaktuar reagimin e gjyqtares, e cila e paralajmëroi disa herë që të mos përdorte gjuhë kërcënuese në sallën e gjyqit dhe të përqendrohej te mbrojtja e klientit. Në debat ndërhyri edhe prokurori Ceka, i cili paralajmëroi se avokati do të arrestohej.