Policja ndërhyr në Libohovë, parandalon ngjarje të rëndë kriminale
Një 40-vjeçar nga Libohovë u arrestua pas një konflikti me bashkëshorten, ku ai kërcënoi se do ta vriste me armë zjarri automatike dhe qëlloi në ajër.

Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Libohovë, pas ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë. Një 40-vjeçar, pas një konflikti me bashkëshorten, e ka kërcënuar se do ta vriste me armë zjarri automatike dhe më pas ka qëlluar në ajër. Pas rreth dy orësh e 30 minutash negociatash me Policinë, ai u neutralizua dhe u arrestua.
Policia u njoftua për një shtetas që po kërcënonte për jetën bashkëshorten e tij, duke qëlluar me armë zjarri në ajër, dhe menjëherë organizoi punën për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe negociatave të zhvilluara nga shërbimet e Policisë, u finalizua operacioni policor “Reagimi”, si rezultat i të cilit u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit T. B., 40 vjeç, banues në Libohovë, me precedent të mëparshëm penal.
Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, arma e zjarrit automatike u konstatua me fishekë në folenë e fishekut, si dhe me krehërin me municionin përkatës. Arma dhe krehëri me municion u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.