Tirana, një sfidë e madhe për Ramën dhe Berishën
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk kanë zyrtarizuar ende kandidatin për Bashkinë e Tiranës, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 9 majit.

Gjashtë muaj nga zgjedhjet e 9 majit, si Partia Socialiste, ashtu dhe Partia Demokratike, nuk kanë zyrtarizuar ende kandidatin për Bashkinë e Tiranës. Dhe gjasat janë, që kjo të mos ndodhë edhe për një kohë të gjatë. Për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, situata është më e komplikuar, pasi kryetari aktual i Bashkisë, Erion Veliaj, jo vetëm që është në burg, dhe kjo është një kosto e madhe për socialistët, por së fundmi është kthyer edhe në kundërshtarin e tyre politik.
Rama prej kohësh ka bërë betejë me Veliajn, për të marrë bashkinë dhe për të vendosur dikë tjetër në vend të tij, për të konsoliduar pozitat dhe kandidaturën e atij që do të zëvendësonte Veliajn. Ky i fundit nuk i hapi rrugën dhe ndaj Rama e ka pasur të vështirë për të promuvuar kandidatin e tij të mundshëm. Deri më tani janë përfolur disa emra, por Rama po nguron të nxjerrë një kandidat zyrtar.
Në PD ndërkohë, përveç "pazareve" të mundshme, janë të varur edhe nga partitë e tjera opozitare. PD kërkon që të ketë një kandidat të përbashkët, me partinë e Shehajt, Qorit dhe Lapajt, në mënyrë që të ketë mundësi reale për të fituar. Por deri më tani, vetëm Qori ka lënë të kuptohet se do të mbështesë kandidaturën e PD-së. Qori ka thënë se do ta kandidojë vetë, ndërsa Shehaj nuk kuptohet se çfarë do bëjë. Aktualisht nga PD, dy kandidatët më të mundshëm janë ato të Ilir Alimehmetit dhe Florjan Binajt, por nuk përjashtohen surprizat.