Sa larg mund të shkojë dora e shtetit në Hagë për të ndihmuar ish-udhëheqësit e UÇK-së?
Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përgatiten për një tjetër betejë juridike në Hagë për të kundërshtuar aktgjykimin që i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte, me mbështetjen e institucioneve më të larta të Kosovës.

Katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përgatiten për një tjetër betejë juridike në Hagë për të kundërshtuar aktgjykimin që i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte. Ata do të kenë edhe mbështetjen e institucioneve më të larta të Kosovës, të cilat kanë nisur hartimin e një strategjie për t’i ndihmuar gjatë procesit të apelit. Synimi i deklaruar është ndryshimi i aktgjykimit.
Ekspertët e së drejtës penale ndërkombëtare thonë se mbështetja financiare dhe ekspertiza juridike mund të jenë të dobishme, por ndikimi i shtetit në rezultatin përfundimtar mbetet i kufizuar. Ata identifikojnë disa çështje që mund të kundërshtohen në apel, por shprehin rezerva ndaj përpjekjeve për të ndryshuar ligjin mbi të cilin funksionon Gjykata Speciale.
Qeveria e Kosovës formoi një grup punues për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike gjatë kësaj faze të procesit. Presidentja Justina Shiroka Pula u takua me grupin punues dhe përkrahu bashkërendimin e veprimeve institucionale. Megjithatë, përmbajtja konkrete e strategjisë mbetet kryesisht e panjohur.
Ekspertët thonë se institucionet e Kosovës mund të kontribuojnë financiarisht për të siguruar mbrojtje cilësore juridike, por përpjekjet për të ndikuar politikisht në një gjykim nuk do të ishin të pranueshme. Mbështetja e tillë mund t’u mundësojë ekipeve mbrojtëse të angazhojnë ekspertë, të analizojnë prova dhe të përgatisin argumente për apel, por kjo nuk i jep shtetit të drejtën të përcaktojë strategjinë e mbrojtjes apo të ushtrojë ndikim mbi gjyqtarët.